Foto: Facebook, Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil

Sindikata e punëtorëve të Aviacionit Civil reagon ndaj vërejtjeve të drejtorit të përgjithshëm

Sindikata e punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil, përmes një reagimi publik, ka bërë të qartë që po vazhdon ndëshkimi i anëtarëve të sindikatës të Autoritetit të Aviacionit Civil.

Sipas një komunikate të lëshuar Sindikata e punëtorëve, thuhet se Drejtori i Përgjithshëm Bujar Ejupi vetëm gjatë javës së kaluar ka shqiptuar dy vërejtje radhazi për njërin prej anëtarëve, drejtor departamenti i cili punon në AAC që nga viti 2002.

“Kultura ndëshkuese është bërë standard i punës në AAC prej marrjes së mandatit të DP Ejupi dhe kjo nuk i kontribuon mbikëqyrjes së sigurisë”, thuhet në komunikatë.

Sipas Sindikatës, ndëshkimet që ka shqiptuar vet drejtori i përgjithshëm ose përmes Komisionit Disiplinor po krijojnë një ambient “toksik” të punës në një institucion të rëndësishëm të sigurisë publike.

“Ne besojmë që këto ndëshkime të pabazuara për anëtarin tonë vijnë për shkak se ai nuk ka pranuar që të dorëzohet në presionet rreth një çështjeje të sigurisë së aviacionit për të cilën ka insistuar Ejupi për më shumë se një vit”, thuhet në komunikatë.

Sindikata i ka bërë thirrje publike institucioneve relevante: Ministrit Liburn Aliu, Kuvendit të Kosovës dhe Bordit Mbikëqyrës të AAC-së si institucione përgjegjëse që ta kthejnë ligjshmërinë në AAC.

 

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës Bujar Ejupi, i cili ka thënë se reagimi i sindikatës është spekulim.

Sipas tij punëtori ka marr ndëshkim shkaku i mosrespektimit të orarit të punës.

“Një ndëshkim është për vonesë për mosrespektim të orarit të punës një tjetër është për neglizhencë pune dhe për mos arritje të kryerjes së punëve… Ai është spekulim për mbrojtje”, tha ai për KALLXO.com.

Sipas Ejupit ndaj asnjë punëtori nuk bëhet presion pasi sipas tij secili i ka përgjegjësitë e veta në bazë të përshkrimit të punës.

“Sa i përket orarit të punës po i verifikojmë mungesat. Sigurisht që marrin vërejtje nëse kanë mungu gjatë orarit të punës”, shtoi Ejupi.

Ejupi ka mohuar që po krijohet ambient toksik në këtë institucion.

“Në asnjë mënyrë, është ambient shumë i mirë për njerëz që donë me punu. Është ambient ku kërkohet llogari”, përfundoi Ejupi.