Amir Hoxha, Foto: Facebook

Sindikata e Policisë së Kosovës ende pa reagim ndaj suspendimit të policit, Amir Hoxha

Mbrëmë, zyrtari policor, Amir Hoxha njoftoi se është suspenduar nga puna përkohësisht pas një postimi të bërë në rrjete sociale ku kërkonte pagesë për shujtat për policët dhe kritikonte deputetët e Kuvendit të Kosovës për shpenzimet me derivate.

Anise kanë kaluar mbi 12 orë prej kur polici, Amir Hoxha njoftoi se është suspenduar, Sindikata e Policisë së Kosovës ende nuk bërë asnjë reagim.

Imer Zeqiri nga kjo sindikatë ka thënë se ende nuk i kanë kompletuar informacionet e nevojshme për rastin.

“Jemi duke e shqyrtuar dhe analizuar rastin komplet, ende nuk kemi të gjitha  informacionet për me ua dhënë një reagim nuk po mund të flas”, tha në një bisedë për KALLXO.com.

Zeqiri ka thënë se publikimi në rrjete sociale nga pjesëtaret e forcave të rendit është i rregulluar dhe ata nuk kanë të drejtë as me uniformë të postojnë fotografi.

“Janë të rregulluara disa çështje të brendshme zyrtare, për shembull gabimi i parë është që ai nuk guxon të bëj postime me uniformë, nën dy, nuk kemi të drejtë ne të përzihemi në cështje politike pra janë disa gjëra të kufizuara në polici”, tha ai.

Megjithatë, Zeriqi premtoi se në lidhje me rastin do të reagojnë përmes një komunikate për media, kur t’i kenë të gjitha informatat.

“Ne jemi duke i kërkuar të drejtat tona, kemi bë edhe padi për shujta. Pjesa kur ai i kërkon të drejtat, është shumë e drejtë. Ne do të dalim me komunikatë në lidhje me rastin”, ka deklaruar ai.

Ish-shefi i antidrogës në Policinë e Kosovës: Suspendimet e tilla të vetmin qëllim e kanë ndëshkimin e drejtpërdrejtë

www.kallxo.com