Dugolli: Një polici nuk i takon të flasë për politikë

Enver Dugolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtar i Komisionit parlamentar për Siguri, ka thënë se një polici nuk i takon të flasë për politikë.

Duke komentuar rastin e ish-policit Amir Hoxha, i cili kishte reaguar publikisht për shujtat për policët, Dugolli tha se Policia e Kosovës e ka organizimin sindikal.

“Deklarimi se policët nuk guxojnë me folë është akuzë goxha e rëndë, për shkak se Policia e Kosovës e ka organizimin sindikal dhe se zëri i tyre mund të shfaqet edhe në këtë formë. Ai polic është larguar prej pune për tjetër gjë, për çka është largu besoj që policit nuk i bën nder, për shkak se polici është organ ekzekutiv dhe është dashtë që të jetë profesional në punën e tij. Policit nuk i shkon me bo politikë”, deklaroi Dugolli.

Amir Hoxha ishte suspenduar pas një postimi të bërë në rrjete sociale ku kërkonte pagesë për shujtat për policët dhe kritikonte deputetët e Kuvendit të Kosovës për shpenzimet me derivate.

Sindikata e Policisë pati thënë se rastet e fundit të suspendimit të policëve kanë qenë shqetësuese për Sindikatën dhe se do të kërkojnë sqarim për arsyet e suspendimit.

Amir Hoxha ka njoftuar se ka braktisur Policinë.