Një javë pasi sulmoi një polic, Molliqaj i del në mbrojtje Amir Hoxhës pas suspendimit

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka dal në mbrojtje të zyrtarit policor të suspenduar, Amir Hoxha.

Por, vetëm një javë më parë, gjatë një proteste të organizuar nga partia e tij, Molliqaj kishte goditur me shuplakë njërin nga policët në shkallët e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Për këtë veprim, ai u arrestua nga forcat e rendit.

“Nuk ka profesion më të keqpërdorur nga qeveria Kurti, sesa ai i policit. Mbani mend skenat në veri për hesape elektorale?”, ka thënë ai përmes rrjeteve sociale të shtunën.

“Por kontrolli nga sipër, që vie duke u rritur, po fillon me ata që cenojnë idiliken e demokracisë. Polici i përjashtuar nga puna shpërfaqi kontradiktën në mes të privilegjeve të atyre në pushtet dhe kushteve të vështira të punëtorit. Prandaj u largua. Ai tha shumë, me pak fjalë. Polici nuk është trup në shërbim të privilegjeve të shefit”, thuhet tutje në reagimin e tij.

Ai i ka bërë thirrje edhe Sindikatës së Policisë së Kosovës që të reagoi për rastin e policit, Amir Hoxha.

“Kushtet e punës, pa sigurim shëndetësor e me orar e terren të vëshirë pune, ditë e natë, policin e dobësojnë. Mbajtja nën kushte minimale është shfrytëzim. Sindikata e policisë duhet të zgjohet. Polici nuk është robot. Përjashtimi nga puna tregon natyrën e pushtetit totalitar. Arkitektura e nënshtrimit është e gatshme. Shembja e saj domosdoshmëri”, thuhet në reagim.

Zyrtari policor, Amir Hoxha u suspendua mbërmë përkohësisht pas një postimi të bërë në rrjete sociale e ku kritikoi deputetët e Kuvendit të Kosovës për shpenzimet ndërsa kërkoi pagesën për shujta.

Sindikata e Policisë së Kosovës ende pa reagim ndaj suspendimit të policit, Amir Hoxha

www.kallxo.com