Amir Hoxha, Foto: Facebook

Suspendimi i policit Amir Hoxha, ky është sqarimi i Policisë

Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me suspendimin e zyrtarit policor Amir Hoxha dhe sipas Policisë i njëjti është suspenduar nën dyshimet për shkelje të brendshme disiplinore.

Në njoftimin e PK-së thuhet se “Policia është strukturë apolitike në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim në orientimet e tyre andaj të gjithë zyrtarët e saj duhet të përmbahen nga komente qofshin ato politike apo të llojeve të tilla të sanksionuara me udhëzimet administrative”.

Vendimi mbi suspendimin në kohëzgjatje deri në tri (3) ditë, është marrë për zyrtarin policor (punonjës në Stacionin Policor Qendra Prishtinë), nën dyshimet për shkelje disiplinore të sanksionuar sipas udhëzimit të sipërshënuar, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.

Sipas këtij njoftimi, zyrtari policor është suspenduar bazuar në Udhëzimin Administrativ “Për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës” 04/2019, përkatësisht neni 24, paragrafi 1.17.

Amir Hoxha u suspendua pas një postimi të bërë në rrjete sociale ku kërkonte pagesë për shujtat për policët dhe kritikonte deputetët e Kuvendit të Kosovës për shpenzimet me derivate.

Lidhur me rastin pak më parë ka reaguar edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.

Sindikata e Policisë ka thënë se rastet e fundit të suspendimit të policëve kanë qenë shqetësuese për sindikatën dhe se do të kërkojnë sqarim për arsyet e suspendimit.

Ndërsa, Inspektorati i Policisë së Kosovës ka thënë se rasti i suspendimit të policit, Amir Hoxha nuk është duke u trajtuar nga ky organ mbikëqyrës i forcave të rendit.

Siç thuhet në një sqarim për media, Amir Hoxha është suspenduar nga Policia e Kosovës.

“Duke ju referuar kërkesave të shumta ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës nuk është duke e trajtuar këtë rast dhe nuk ka bërë ndonjë rekomandim për suspendim dhe se ky suspendim është bërë nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të IPK-së.

Suspendimi i zyrtarit policor, reagon Sindikata e Policisë