Amir Hoxha, Foto: Facebook

Suspendimi i zyrtarit policor, reagon Sindikata e Policisë

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas suspendimit të zyrtarit policor, Amir Hoxha, i cili është suspenduar përkohësisht pas një postimi të bërë në rrjete sociale ku kërkonte pagesë për shujtat për policët dhe kritikonte deputetët e Kuvendit të Kosovës për shpenzimet me derivate.

Sindikata e Policisë ka thënë se rastet e fundit të suspendimit të policëve kanë qenë shqetësuese për sindikatën dhe se do të kërkojnë sqarim për arsyet e suspendimit.

Në reagim thuhet se Sindikata e Policisë është në mbrojtje të të gjithë pjestarëve të policisë në të gjitha kërkesat e tyre ligjore si dhe do t’i mbrojë të gjitha veprimet ligjore të përcaktuara me urdhëresa, udhëzime dhe autorizime ligjore.

“Sindikata e Policisë do të monitoroj çdo rast hetimi ndaj zyrtarëve policor qoftë sipas kërkesës së tyre apo edhe kur ka ndonjë kontest se ndonjërit po i bëhet e pa drejtë”, thuhet në reagimin e kësaj sindikate.

Hoxha është suspenduar përkohësisht,pasi, siç ka thënë ai, pas një postimi të bërë dje mbi mos pagesën e shujtave për policët.

Hoxha gjatë të premtes kishte postuar në Facebook një reagim mbi shpenzimet e deputetëve për karburante ndërsa kishte thënë se pjesëtaret e Policisë së Kosovës nuk po paguhen për punët jashtë orarit.

“Sapo mora njoftimin për suspendim të përkohshëm  timin në afat prej 3 ditësh lidhur me një postim që e kam bërë me datën 04.02.2022 në lidhje me pakënaqësinë time për mos pagesën e shujtave për policët ne kryerje të detyrës e qe ligjërisht na takojnë”, ka thënë Hoxha përmes një njoftimi në rrjete sociale.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe ish-shefi i antidrogës në Policinë e Kosovës, Naim Rudari i cili ka thënë se suspendimi i një zyrtari policor, pa asnjë arsye, zbehë integritetin e Policisë së Kosovës.

Suspendohet polici i cili kritikoi deputetët për shpenzime dhe kërkoi pagesën për shujta për policët