Sindikata e Policisë nuk e mirëpret shfuqizimin e Ligjit për Pagat

Sindikata e Policisë së Kosovës nuk e ka mirëpritur vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese për ta shfuqizuar Ligjin për Pagat.

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli, tha për KALLXO.com se kjo është e pakëndshme për ta.

“Nuk e kemi mirëpritur këtë vendim. Të shohim tash më tutje. Vërtet dy herë e shtyjti, të tretën tash e pezulloi. Ne kemi menduar se ai projektligj do të funksionojë nga ky muaj, por ja si ndodhi. Është e pakëndshme për neve.  E kemi një takim nesër, të shohim çka, qysh, tek”, tha ai.

Tasholli shtoi se nesër pas takimit me përfaqësues të sindikatave të tjera do të vendosin se si do të veprojnë.

“Ne kemi një marrëveshje tash me arsimin, shëndetësinë, zjarrfikësit, doganën dhe administratën. Së bashku do të kemi takim dhe do të vendosim çka më tutje”, theksoi ai për KALLXO.com.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës sot e ka shfuqizuar Ligjin për Pagat.

Sipas Gjykatës, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese zyrtarët publikë nuk do t’i marrin pagat e rritura sipas Ligjit që ishte miratuar më 2019.