Sillen në gjykatë 6 të dyshuarit e tjerë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares (FOTO)
Gjashtë persona kanë përfunduar në pranga gjatë ditës së djeshme. Ata po dyshohen për dhunim dhe trafikim të 11-vjeçares gjatë muajit qershor të këtij viti.
Prokuroria Themelore në Prishtinë sot gjatë ditës kërkoi paraburgim për të arrestuarit ndërsa ata tashmë janë sjell para gjykatës.
Në fotografitë e siguruara nga KALLXO.com, ata janë sjellë nën përcjelljen e forcave të rendit.
Siç ka njoftuar Prokuroria, të arrestuarit ngarkohen për tri vepra penale.
“Gjashtë personat e dyshuar (madhor), dyshohet se janë përfshirë në veprimtari penale, gjegjësisht si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi’”, si dhe, në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara deri më tani nga hetimet e zhvilluara, dyshohet se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku e mitura ishte raportuar si person i zhdukur” – thuhet në njoftim.
Gjashtë të dyshuarit janë arrestuar disa ditë pas arrestimit të pesë të tjerëve që dyshohet se kanë dhunuar 11-vjeçaren në Prishtinë.
Siç mëson KALLXO.com, rasti i gushtit dhe ai i qershorit do të hetohen si të ndara për shkak se kanë ndodhur në periudha të ndryshme edhe të dyshuarit janë persona të ndryshëm.