Foto: KALLXO.com

Si u sulmua me armë të gjatë Policia nga të dyshuarit për grabitjen në Prizren?

Përveç plagosjes së dy personave gjatë tentim-grabtjes në një argjendari në qendër të Prizrenit të shtëna armësh pati edhe kundër zyrtarëve policorë.

Pasi kishin dështuar që të grabisnin një argjendari në Prizren e kishin lënë të plagosur dy persona, tre persona të maskuar ishin larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë të tipit “Passat” me ngjyrë të zezë me xhama të errësuar drejt Suharekës.

Në një lokacion ata kishin lënë veturën ndërsa nën kërcënimin e armëve kishin grabitur një veturë të një kalimtari e me të cilën kishin vazhduar drejt një pompe të derivateve në të cilën sërish kishin grabitur një bidon me benzinë.

Pas kryerjes së këtyre veprave ishin kthyer te vetura “Passat” e i kishin vënë flakën ndërsa me veturën e grabitur me ngjyrë të kuqe ishin nisur të dyshuarit drejt autostradës.

Për grabitjet dhe ngjarjen në Prizren tashmë ishin njoftuar të gjitha ekipet policore.

Një patrullë e Policisë u sulmua me Kallashnikov pasi që ishin vënë në ndjekje të të dyshuarve.

Plumbat dyshohet se u shkrepën nga xhami i pjesës së pasme të veturës.

Kryeprokurori i Prizrenit ka dhënë detaje se si ishin përballur Policia me të dyshuarit dhe pse ishte ndalur ndjekja.

“Në momentin që ka ndodhur ngjarja është shpërndarë informacioni që ka ndodhur një grabitje po ashtu edhe qytetari ka njoftu për grabitjen. Të gjitha njësitet janë njoftuar për ngjarjen dhe janë alarmuar se duhet të bëhet identifikimi i veturës dhe patrulla e stacionit policor në Suharekë ka qenë e gatshme të veprojë dhe ka dalë në terren. Ka hasur menjëherë në veturën e dyshuar dhe janë vënë në ndjekje, gjatë ndjekjes njëri nga të dyshuarit nxjerr armën e gjatë dhe gjuan në drejtim të Policisë. Është një gjendje goxha e rrezikshme në ato situata sepse kemi të bëjmë me rrugë publike ku ka qytetarë dhe Policia ka qenë në rrezik dhe janë njoftuar të gjitha patrullat e nevojshme të cilët mund të kenë kontakt me të dyshuari mirëpo ata i kanë ditur rrugët dhe i kanë planifikuar dhe nuk kemi arritur që t’i kapim në ikje e sipër”, tregon Shala.

Ai apeloi që komunat në Kosovë të funksionalizojnë dhe vendosin kamera të sigurisë nëpër qytet në mënyrë që në raste të tilla të ketë pamje të të dyshuarve dhe rrugës të cilën ata e bëjnë.

“Ne kemi identifikuar gjatë kohës sa kam marë mandatin se mungojnë kamerat e sigurisë publike dhe disa herë kemi kontaktu edhe me kryetarin e komunës që të bëhet një zgjidhje për kamerat e sigurisë që vendosen në vende publike dhe dhoma operative të bartet në polici. Po ta kishte dhomën operative policia dhe po të ishin kamerat funksionale shumë më lëhtë do të bëhej edhe identifikimi i rrugtimit por edhe identifikimi i personave në fjalë dhe do ta ndihmonin edhe policinë edhe organet tjera”, shtoi Shala.

KALLXO.com sonte transmetoi pamje të shumta të cilat u nxorrën nga disa kamera sigurie në lidhje me plagosjen e grabitjet që kishin ndodhur në Prizren.

Madje në emisionin e sotëm u transmetuan edhe pamjet ekskluzive të arrestimit të të dyshuarve kryesor për këtë ngjarje.

KALLXO.com raportoi se një person i cili ishte arrestuar katër ditë më parë dyshohet se ka kryer veprën penale ndihmë në grabitje.

Kjo pasi që i njëjti po dyshohet se së bashku me Leutrim Latifin ditën e diel kanë blerë maska e dorëza të zeza në një qendër tregtare në Prishtinë.

Të njëjtat materiale dyshohet se janë përdorur për ngjarjen e së hënës së 15 nëntorit ndërsa i dyshuari sipas një dokumenti që ka siguruar KALLXO.com me veturën personale të Leutrim Latifit i ka marrë të dyshuarit të hënën në fshatin Murg të Komunës së Skenderajt.