Avni Namani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Si trajtohen rastet kur zyrtarët policorë kryejnë ngacmime?

Në emisionin “Kallxo Përnime” sonte është duke u diskutuar rreth ngacmimeve seksuale dhe trajtimit të tyre në Kosovë.

Të ftuar në debat janë Avni Namani nga Policia e Kosovës, Adelina Tërshani nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Labinot Leposhtica nga KALLXO.com dhe Merita Stublla, avokate.

Shefi i Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor ‘Qendra’, Avni Namani, ka shpjeguar në emison se si trajtohen rastet e ngacmimeve seksuale nga zyrtarët policorë dhe brenda këtij institucioni.

Namani tha se në raste të tilla  merren masa, duke përfshirë ndërrimin e vendit të punës dhe suspendimin.

“Ekziston një rregullore e Policisë së Kosovës që tregon se si duhet të trajtohen raste të tilla dhe gjithherë duhet të njoftohet Inspektorati Policor. Masat tjera që mund të merren është ndërrimi i vendit të punës apo edhe suspendimi. Ngacmimi në rregullore është shkelje diciplinore edhe rregullorja për diciplinë e parasheh si shkelje të rëndë”, tha ai.

Namani ka treguar se në vitin 2021 në Policinë e Kosovës janë raportuar 71 sulme seksuale dhe 55 ngacmime seksuale.

“Në vitin 2019 kanë ndodhur 40 raste të ngacmimit seksual, 48 në vitin 2020 ndërsa në vitin 2021, 55. Unë kam të dhëna edhe për këtë pjesë të vitit, që ëjanë rreth 19 raste të raportuara deri më tani të ngacmimit seksual. Ndërsa për veprën ‘sulm seksual’ në vitin 2019 janë raportuar 46 raste, në vitin 2020 janë raportuar 65, në vitin 2021 janë raportuar 71 raste të sulmit seksual ndërsa gjatë këtyre muajve të vitit 2022 janë raportuar 15 deri më tani”, tha ai.

Në pjesën e parë të emisionit u trajtua hulumtimi i emisionit “Kallxo Përnime”, i cili tregon për dyshimet se një polic nga Lipjani ishte arrestuar dy herë për të njëjtën vepër penale – ngacmimin e një gruaje nga Shqipëria, e punësuar në Kosovë.