Si të identifikohen lajmet e rreme dhe si të verifikohen faktet në mediat online?

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në bashkëpunim me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) organizuan tryezën e rrumbullakët me temën “Lajmet e rreme dhe verifikimi i fakteve në mediat online”.

Drejtori i KMShK-së, Imer Mushkolaj, tha se lajmet e rreme kanë ekzistuar gjithmonë vetëm se në forma tjera dhe se zhvillimi i teknologjisë e ka bërë këtë fenomen më të pranishëm.

“Gjatë muajve të fundit KMShK e ka përditësuar kodin etik, më të cilin funksionojnë mediat të cilat janë anëtare, e sidomos pjesa që ka të bëjë me lajmet e rreme si dhe verifikimi i tyre do të plotësohet edhe gjatë vitit 2022 në kuadër të një projekti tjetër”, deklaroi Mushkolaj.

Ai gjithashtu theksoi se çështja e lajmeve të rrejshme është kthyer në problem serioz në fushën e medias.

“Duhet bërë vetëdijesimi. Së pari të kuptohet se çka është media, cilat konsiderohen si media dhe cilat janë ato të tjerat që nuk janë media të cilat përpiqen që të ndikojnë tek opinioni publik në mënyra të ndryshme”, tha Mushkolaj.

Po ashtu ai tha se nuk mund të pritet nga publiku që të bëhet verifikues i lajmeve që ata pranojnë. Mushkolaj sugjeroi që të mos konsumohen përmbajtje që mund të konsiderojnë që është “fake” apo i dyshimtë.

Kryetari i Asocacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, tha se media duhet ta edukojë publikun mbi lajmet e rreme përmes shembujve konkretë për të kontestuar këtë lloj të lajmeve.

“Kjo natyrisht do të duhej të ishte punë e të gjitha mediave por, besoj që më së shumti i medias publike në Kosovë që paguhen nga taksat e qytetarëve”, tha Rexha.

Ai tha se plasimi i lajmeve të rreme ndodh për dy arsye siç janë aspekti financiar dhe ai politik.

“Janë disa forma për të detektuar nëse një link është i vërtetë dhe njëri prej tyre që shfaq dyshim është emri ndryshe i faqes dhe ndryshe i linkut kur klikon”, shpjegoi Rexha.

Ai gjatë diskutimit përmendi disa platforma të cilat merren me detektimin e lajmeve të rreme si hibrid.info, no fake news, si dhe Krypometrin në kuadër të KALLXO.com.

Ligjeruesi i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri, tha se për studentët tashmë është e domosdoshme të kuptojnë verifikimin e fakteve.

“Besoj se dezinformimi po e sfidon seriozisht profesionin e gazetarit dhe në këtë kohë krize pandemie përmasat e tij janë rritur aq shumë, sa që po e sulmon gazetarinë në thelb të funksionit të saj”, ka thënë Gërguri.

Ai gjithashtu tha se nga gazetari kërkohet që në raportin e tij të ketë objektivitet dhe saktësi, të përdorë burime zyrtare, të intervistojë ekspertë të fushave duke trajtuar edhe problematika tjera të krijuara nga dezinformatat në shoqëri.

Gërguri shtoi se duhet kushtuar vëmendje edhe terminologjive që u referohet lajmeve të rreme sepse sipas tij kjo do të lehtësonte që edhe gazetarët edhe publiku ta kuptojnë që nuk po flitet më për lajm.

“Unë propozoj që nga gazetarët të përdoren tri kategoritë që janë: dezinformimi, keqinformimi dhe çinformimi”, tha Gërguri.

Në pjesën e dytë të diskutimit për “Lajmet e rreme dhe verifikimi i fakteve në mediat online “ u diskutua për mekanizmat ligjorë kundër lajmeve të rrejshme dhe propagandës në mediat online.

Ligjeruesi i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Alban Zeneli, tha se se nga aspekti ligjor lajmet e rreme mund të trajtohen në kudaër të ligjit për shpifje dhe për nisjen e procedurave ligjore ndaj publikuesve, ai tha se një ndër sfidat me të mëdha mbetet identifikimi i publikuesit.

Ai gjithashtu përmendi edhe ligjin për të drejtat e autorit që ndikon në përmbajtjet online në Kosovë.

“Ne jemi dëshmitar që replikimi i lajmeve nëpër portale ndodhë më shpejtë se në 12 orë. Një lajm publikohet gjithashtu edhe në një portal tjetër”, tha Zeneli.

Zeneli gjithashtu shpjegoi edhe platformën hibrid.info, e cila sipas tij ka për qëllim të verifikojë faktet dhe denoncimin e dezinformatave të cilat qarkullojnë online.

Redaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka thënë se në vitin e fundit kanë dërguar 7 padi të ndryshme të cilat kanë shpifur ndaj BIRN &Internews Kosova dhe platformës KALLXO.com.

Gashi njoftoi se në vitin 2017 platforma Krypometri ishte e para në rajon e licencuar nga IFCN për vërtetimin e fakteve.

“Vendi jonë është më mirë krahasuar me vendet e rajonit, sepse vërtetimi jonë i fakteve merr vëmendjen e publikut”, ka thënë Gashi.

Për zgjidhjen e çështjes së lajmeve të rreme, Gashi ka thënë se është edukimi i njerëzve si duhet lexuar në internet dhe ana ligjore apo dërgimi i  rasteve në KMShK, KPM apo gjykatë.

Drejtoresha e Radios Kosovska Mitrovica, Maja Fiqoviq, deklaroi se lajmet e rreme janë në rritje dhe jo si pasojë e joprofesionalizmit por kanë një qëllim të caktuar dhe sipas saj publiku do të duhej të edukohej përes edukimit medial dhe kjo nuk është diçka e lehtë.

“Ajo që ne bëjmë si radio Kosovska Mitrovica është që të luftojmë lajmet e rreme në bashkëpunim me media të tjera në Kosovë”, tha Maja Fiqoviq.

Panelistë të këtij diskutimi ishin drejtori i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, kryetari i Asocacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha; ligjëruesi i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri, ligjëruesi i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli; redaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi; drejtoresha e Radios Kosovska Mitrovica, Maja Fiqoviq dhe këshilltari ligjor i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Florent Spahija.