Ministria e Ekonomise Subvencionimi i pajisjeve eficiente

Si të aplikoni për subvencione për pajisje efiçiente për ngrohje?

Që nga e premtja është hapur thirrja e Ministrisë së Ekonomisë për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa.

Në kuadër të thirrjes, Ministria ka thënë se do të subvencionojë qytetarët për pajisjet si: pompa termike; kondicioner/klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë); kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufa individuale me biomasë.

Aplikimi për subvencionim bëhet online përmes platformës e-Kosova.

Më poshtë janë hapat që duhet të ndiqni për aplikim:

  1. Sigurohuni që plotësoni kriterin për aplikim në lidhje me konsumin e energjisë elektrike këtu: https://ekosova.rks-gov.net/472 . Nëse e plotësoni kriterin e konsumit të energjisë elektrike si dhe kriteret tjera për aplikim të specifikuara në thirrje, ju mund të vazhdoni me blerjen e pajisjes.
  2. Pas blerjes së pajisjes së përzgjedhur sipas kritereve të specifikuara më lart, ju mund të vazhdoni aplikimin që të ju mundësohet përfitimi nga ky subvencion, duke plotësuar formularin për aplikim në linkun si më lart dhe duke ngarkuar dokumentet si në vijim:

– Faturën e rregullt me dëshmi të pagesës përmes transferit bankar apo kuponin fiskal të blerjes së pajisjes (data e blerjes duhet të jetë nga data e shpalljes së thirrjes më datë 22.09.2023);

– Fotografi të pajisjes së blerë dhe instaluar sipas kritereve të specifikuara në thirrje (për kondicioner/ klimë – pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë, fotografi e një njësie të jashtme dhe të brendshme apo të sistemit multisplit);

– Fotografi që dëshmon se shtëpia/banesa juaj është e termoizoluar sipas kritereve të cekura më lartë (vlen për pompë termike dhe për kondicioner/ klimë – pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë);

– Fotografi të numrit serik të pajisjes (nuk vlen për stufat individuale me biomasë);

– Fotografi të etiketës së konformitetit CE së pajisjes (opsionale për kaldajat dhe stufat individuale me biomasë);

– Fotografi të etiketës së performancës energjetike të pajisjes – etiketa e energjisë (opsionale për kaldajat dhe stufat individuale me biomasë);

– Fotografi të koeficientit të performancës së pajisjes (vlen për pompë termike dhe për kondicioner/ klimë – pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), koeficientin e COP ose SCOP ( ku është e aplikueshme);

– Fotografi të çertifikatës që dëshmon shkallën e shfrytëzimit për kaldajën me biomasë;

– Për prindërit vetushqyes për përfitim të subvencionit prej nëntëdhjetë përqind (90%) për stufën individuale me biomasë dhe gjashtëdhjetë përqind (60%) për pompën termike ajër-ajër inverter (kondicioner/klimë efiçiente) kërkohet tëngarkohet një (1) nga dokumentet/dëshmitë 9që konfirmon statusin e prindit vetushqyes;

– Për aplikuesit që janë përfitues të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), për përfitim të subvencionit prej nëntëdhjetë përqind (90%) për stufën individuale me biomasë dhe gjashtëdhjetë përqind (60%) për pompën termike ajër-ajër inverter (kondicioner/klimë efiçiente) kërkohet të ngarkohet një (1) dëshmi që konfirmon statusin e aplikuesit që është përfitues i skemës sociale (kategoria I & II);

– Marrëveshja juaj e subvencionimit do të gjenerohet automatikisht në platformën e-Kosova. Kjo marrëveshje duhet patjetër të shkarkohet, të nënshkruhet, dhe të ngarkohet së bashku me dokumentet e sipërpërmendura.

Në këtë fazë ju kërkohet të vendosni numrin e xhirollogarisë tuaj bankare e cila duhet të jetë në emër të aplikuesit dhe nga ndonjëra prej bankave të licencuara brenda Republikës së Kosovës.

Pas ngarkimit të dokumenteve të listuara më lartë në platformën online e-Kosova, ju do të pranoni një njoftim automatik me përmbajtjen: “Aplikimi juaj është realizuar me sukses. Aplikacioni juaj do të vlerësohet nga Komisioni përkatës i Ministrisë së Ekonomisë (ME), i cili do të shqyrtojë nëse dëshmitë e ngarkuara në platformën e-Kosova janë konform kritereve të kësaj thirrjeje. Për rezultatet e aplikimit do të njoftoheni sipas afateve zyrtare”.

Nëse aplikacioni juaj vlerësohet pozitivisht nga Komisioni përkatës i Ministrisë së Ekonomisë, ju do të njoftoheni përmes platformës e-Kosova dhe do të pranoni mjetet nga subvencioni në xhirollogarinë tuaj.

Afati i fundit për aplikim është 60 ditë kalendarike nga dita që hapet thirrja, pra deri më datën 22 nëntor të vitit 2023.

Hapet thirrja për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje