Foto: REL/Reuters
Si po e përcakton garën për Papën e ri ndarja për trashëgiminë e Françeskut?
Ndërsa Kardinalët fillojnë Konklavën për zgjedhjen e pasardhësit të Papa Françeskut, ata duhet të vendosin nëse do të zgjedhin një Papë i cili rrah shtegun e tij, apo një që do të trazojë një rrugë të re – shkruan gazeta The New York Times.
E varrosën. E vajtuan. Dhe, sot janë mbledhur për zgjedhjen e pasardhësit të tij. Por, gjithçka ende lidhet me Papa Françeskun.
Më shumë se dy javë pas vdekjes së Françeskut, Kardinalët, të cilët fillojnë të mërkurën, më 07.05.2025, të votojnë në Kapelën Sistine për Papën e ardhshëm, kanë sinjalizuar nëse duan të ndjekin shembullin e Françeskut, të kthehen prapa, apo të arrijnë ndonjë kompromis për një Papë të rrugës së ndërmjetme.
Në predikime, biseda publike dhe private dhe mbi të gjitha në fjalimet drejtuar kolegëve kardinalë në takimet e përditshme prapa mureve të Vatikanit, njerëzit që do të zgjedhin Papën e ardhshëm kanë mbajtur atë që përbën referendum mbi trashëgiminë e Françeskut. Ata kanë shqyrtuar gjithashtu nëse duan të përjetësojnë të ashtuquajturin “efekti i Françeskut”, idenë se një person karizmatik, gjithëpërfshirës, me ndërgjegje morale në skenën gjeopolitike mund të tërheqë ndjekës të rinj dhe të joshë katolikët e lënë pas dore prej Kishës.
“Ka dëshira të ndryshme”
“Ka dëshira të ndryshme” brenda grupit – ka theksuar kardinali i Suedisë Anders Arborelius, i cili është përfolur si kandidat potencial për Papë. Disa duan të zgjedhin një Papë “që mund të ndjekë gjurmët e Françeskut. Disa të tjerë thanë: ‘Jo, jo. Aspak’.”
Ka shumë gjëra në trashëgiminë e Françeskut për të cilat mund të debatohet. Gjatë Papatit të tij 12-vjeçar bëri bujë botërore për deklaratat historike që inkurajuan liberalët – qofshin katolikë apo laikë. Për priftërinjtë homoseksualë kishte deklaruar: “Kush jam unë të gjykoj” dhe lejoi bekimin e çifteve të gjinisë së njëjtë. Papa Françesku kishte ngritur zërin për emigrantët, iu lut udhëheqësve botërorë të përballen me ndryshimin klimatik dhe kritikoi ato që i shihte si teprime të kapitalizmit dhe shfrytëzim të të varfërve.
Brenda Kishës e zgjeroi Kolegjin e Kardinalëve në ato që ai i quajti “periferi”, shtete larg Vatikanit me popullsitë me rritjen më të shpejtë, si dhe në disa vende ku katolikët janë pakicë. Ai lidhi Marrëveshje me Qeverinë kineze, me shpresën e rritjes së pranisë së Kishës, megjithëse disa kritikë besonin se kjo komprometonte pavarësinë e Kishës në Kinë.
Ai ftoi laikë, përfshirë gratë, në takimet e Peshkopëve të cilët i parashikonte si organet kryesore vendimmarrëse të Kishës. Françesku reformoi burokracinë e Vatikanit që qeveris Kishën, prezantoi masa për rritjen e transparencës së financave të dyshimta të Kishës dhe miratoi Dekrete për rritjen e llogaridhënies për udhëheqësit e Kishës, që kryen ose mbuluan raste të abuzimit seksual.
Disa Kardinalë duan të ecin përpara me këto rrëmuja, ose edhe të hidhen drejt ndryshimeve më të mëdha. Të tjerë duan t’i anulojnë ato. Por, përçarjet më të mëdha mund të shkaktohen për çështjet e diskutueshme për të cilat Françesku iu afrua vijës, por nuk e kaloi.
Ato përfshijnë çështje të mbuluara prej kohësh, por të diskutueshme, si shugurimi i grave si dhjakë katolikë, kërkesa e beqarisë për priftërinjtë dhe mësimet e Kishës rreth homoseksualitetit dhe përdorimit të kontrollit të lindjeve.
Ndikimi përtej Kishës
Pas Papatit të Françeskut, rreziqet shtrihen përtej Kishës katolike. Ai ishte një udhëheqës i rrallë me qasje të ndërmjetme: sa ishte popullor me audiencën laike, po aq edhe me besimtarët. Aso që nga shumëkush shihej si busull etike në një spektër politik gjithnjë e më konfuz. Ndërsa shumë udhëheqës botërorë ua kanë mbyllur dyert emigrantëve dhe kanë hequr dorë prej kujdesit për të varfërit, Papa Françesku i qëndroi besnikërisht pranimit zemërhapur, qëndrim që rezononte me besimtarët e Kishës, si dhe me disa nga ata të cilët nuk kishin shkuar kurrë në meshë.
Megjithatë, ishte pikërisht kjo formë popullariteti jashtë dyerve të kishës që ndonjëherë e kthente në kamxhik për kundërshtarët brenda Kishës.
“Ekziston nevoja që Kisha t’u kthehet katolikëve.” – ka theksuar Camillo Ruini, Kardinal konservator i gardës së vjetër dhe hisedar i pushtetit italian nën Gjon Palin e Dytë dhe Benediktine Gjashtëmbëdhjetë, në një intervistë për “Corriere della Sera”, një gazetë italiane. Ai shtoi se “ata të cilët janë në anën e Françeskut janë kryesisht laikë, ndërsa ata ‘kundër’ më shpesh janë besimtarë”.
Të tjerë kanë theksuar se Konklava nuk duhet të jetë garë globale popullariteti. Kardinali Mauro Piacenza ka theksuar se i sheh si “sentimentale” të gjitha ankesat për vazhdim të një Papati alla-Françesku. Kardinali gjerman Gerhard Ludwig Müller, konservator i cili drejtoi Zyrën e Kishës për Doktrinën derisa do ta shkarkonte Françesku, ka deklaruar se ata të cilët donin “një Papë për të gjithë”, me idenë e vazhdimit të Papatit të Françeskut janë përgjithësisht “mediat dhe të gjithë ish-kundërshtarët e Kishës – ateistët”.
Pakica konservatore
Por konservatorët janë pakicë, të paktën midis atyre të cilët do të votojnë për Papën e ri. Françesku kishte mbështetje të thellë brenda Kishës, veçanërisht midis Kardinalëve veteranë votimi. Ai emëroi 80% të tyre dhe shumica janë të përkushtuar të vazhdojnë, të paktën pjesërisht rrahjen e së njëjtës që ua trazoi.
“Meqenëse tani jemi në një kohë kur të gjithë po e rimendojmë natyrën e Kishës, shpresoj që Papa i ri të jetë dikush që po rrah të njëjtin drejtim” si Françesku – ka theksuar kardinali Tarcisio Isao Kikuchi, Arqipeshkvi i Tokios.
Nëse jo, disa Kardinalë kanë frikë se Kisha do të izolohet më tej nga moderniteti dhe realiteti i jetës së anëtarëve të saj.
“Kjo nuk mund të jetë koha që i pëlqen instinktit për kthim prapa.” – ka theksuar kardinali Baldassare Reina, italian i ngritur në këtë detyrë nga Françesku, në predikimin e tij në Sheshin e Shën Pjetrit javën e kaluar. Midis shumë të emëruarve të Françeskut nga bota mbarë, ky instinkt ishte i fortë.
Edhe nëse Kardinalët zgjedhin një Papë të cilin besojnë se do të marrë stafetën nga Françesku, “nuk mendoj se ka ndonjë garanci se e ardhmja do të jetë vetëm një vijë e drejtë që vazhdon nga Françesku” – tha arqipeshkvi Paul Gallagher, Ministri i Jashtëm i Vatikanit dhe ndihmës i ngushtë i Françeskut. “Papa i ardhshëm do të ketë bindjet dhe kontributin e tij për të vepruar. Dhe, mund të jetë që ai do të vërë në pah gjëra të ndryshme nga ato që i ka spikatur Françesku”.
Një kandidat kompromisi?
Duke pasur parasysh se Papa Françesku ishte udhëheqës i ndërlikuar i cili ndonjëherë dilte kundër mendimeve të veta dhe nuk i përmbushte pritjet që i ngriste nuk dihet mirëfilli numri i kardinalëve pro ose kundër tij. Ata janë të ndarë në grupe të formuara rreth ideologjisë, rajonit, çështjeve të dashurisë, dallimeve kulturore, gjuhëve të përbashkëta dhe hakmarrjeve personale.
Rezultati, thonë disa analistë të Kishës, mund të jetë më shumë një kandidat kompromisi.
Ky mund të jetë një klerik sipas modelit të Françeskut, por që është më i disiplinuar në deklaratat e tij publike, ose një Papë i cili kompenson mungesën e karizmës personale me zotësinë për qeverisje të qëndrueshme. Kardinalët me mundësi të zgjedhjes Papë, në pjesën më të madhe të kohës, kanë shmangur deklarimet publike për çështjet përçarëse që Françesku ngriti, por nuk i preu qartazi, si puna e lejimit të grave të bëhen priftëresha, e burrave të martuar që të bëhen priftërinj, ose e katolikëve të shkurorëzuar dhe të rimartuar që të kenë kungimin. Vetë Françesku konsiderohej tradicional dhe dha pak shenja para zgjedhjes se do të ishte Papë që i shtyn kufijtë.
Ka permutacione të shumta, por e sigurt është se Papa i ardhshëm do të lërë gjurmët e veta. Çështja e vërtetë, thonë disa analistë të Kishës, është nëse vizioni i Papës përçohet deri te njerëzit të cilët udhëheqin famullitë ku katolikët praktikojnë besimin e tyre përditë.
“Tragjedia e Papa Françeskut është se njerëzit e dëgjonin, e donin, mendonin se ky është lloji i priftit që dua në famullinë time.” – ka deklaruar kleriku Thomas J. Reese, analist veteran i Vatikanit. “Dhe, ata shkuan në famullinë e tyre dhe nuk e takuan Françeskun”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com