Mimoza Kusari-Lila Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shtyhet seanca në rastin e padisë për shpifje ndaj Mimoza Kusarit

Seanca gjyqësore e paraparë për sot ndaj Mimoza Kusari-Lila, e akuzuar për shpifje nga Dervish Tahiri, nuk është mbajtur dhe është shtyrë për datën 22 shkurt.

Shkak i shtyrjes së kësaj seanca ka qenë mungesa e avokatit të paditësit Dervish Tahiri, Meshari Selimaj.

KALLXO.com ka kontaktuar avokatin Selimaj dhe i njëjti ka thënë që për shkaqe të tija shëndetësore nuk ka mundur që të marrë pjesë në gjykim dhe kishte kërkuar nga gjykata që seanca të shtyhet për një ditë tjetër.

Sipas padisë në një mbledhje të Komunës së Gjakovës në mars të vitit 2019, e paditura Kusari-Lila i është drejtuar paditësit Tahiri me fjalët, “ku është Dervish Tahiri le të del të tregon se cilat marrëveshje i ka bërë me krejt ata pronarët për ndërtim”.

Në padi thuhet se e njëjta këto fjalë i ka thënë derisa ka qenë prezente si qytetare apo publik gjatë një debati për shpalljen me interes publik të monumentit kulturor dhe historik së kullës “Sylejman Vokshi”.

Padia thotë se e njëjta kishte ndërhyrë pa të drejtën e fjalës duke e ngritur zërin dhe me një gjuhë shpifëse e fyese.

Sipas padisë së Dervish Tahirit, kjo gjuhë fyese është në kundërshtim me Ligjin Civil Kindër Shpifjes dhe Fyerjes, me të cilën gjuhë paditësi pretendon se të njëjtit i ka shkaktuar dëm në integritetin personal e profesional të tij, pasi që 19 vite punon në administratën e Komunës së Gjakovës.