Armend Zemaj. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Shtohen edhe 400 vende të reja në shkollimin specialistik

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se do të shtohen edhe 400 vende në shkollimin specialistik duke iu bashkuar 1 mijë e 34 vendeve sa janë hapur fillimisht.

Sipas ministrit Zemaj, këtë vit do të jenë të hapura 1 mijë e 500 vende për shkollim specialistik, duke i përfshirë edhe 70 vende nga Lugina e Preshevës.

“Sot duam të ju njoftojmë me planin e ri, dinamiken e re në të cilën e kemi zhvilluar dhe hapësirën e krijuar nga bordi për shkollim specialistik dhe vlerësimi ynë i përbashkët gjithmonë duke marrë për bazë nevojat elementare që kanë mjekët e ri, t’i përfshijmë të gjithë në procesin e specializimit, kërkesa e re për të shtuar vendet shtesë duke përfshirë pothuajse të gjithë aplikantë që kanë aplikuar dhe i plotësojnë kushtet, duam ta japim këtë lajm që Kosova do të shtoj këtë numër edhe përafërsisht 1500 specializantë do tu bashkëngjiten kolegëve të tyre, në të gjitha nivelet, duke përfshirë dhe mbuluar nevojat imediate. Konkursi për specializantë ka qenë i hapur për 1034 vende, ndërkaq është kërkuar që të kalojnë edhe për 400 vendet tjera shtesë, përafërsisht janë 1500 që kanë konkurruar në të dy nivelet”, ka deklaruar Zemaj.

Por, Zemaj nuk ka dhënë detaje se në cilat fusha të shkollimit specialistik do të shtohen këto vende të reja.

Më tej, ai ka shtuar se me Ligjin e ri për Shëndetësi ne do t’i obligojmë institucionet që çdo vit të ketë konkurse për specializime.

Në këtë konferencë gjithashtu është bërë e ditur se në mbledhjen e nesërme të Qeverisë së Maqedonisë pritet të hiqet kushti për test RT PCR në kalimin kufitar me Maqedoninë e Veriut.