Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hapet konkurs i ri për specializime për kandidatët nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se është hapur konkursi për specializime për kandidatët e interesuar të tri shteteve fqinje.

Sipas njoftimit të ministrit Zemaj, konkursi do të jetë i hapur në pajtueshmëri me Ligjin për Shëndetësi dhe do të mund të kandidojnë të interesuarit nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

“Konkursi hapet në pajtim me Ligjin për Shëndetësi Nr. 04/L-125, Udhëzimin Administrativ mbi shkollimin specialistik Nr.05/2017, në bazë të propozimit të Bordit Qendror për Shkollim Specialistik (BQShS) dhe pas aprovimit nga Ministri i Shëndetësisë. Ju bëj thirrje kandidatëve për aplikim, duke ju dëshiruar suksese, si dhe palët e interesuara që ta bëjnë monitorimin e këtij procesi, për të siguruar transparencë dhe mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët”, ka shkruar Zemaj.

Kujtojmë se këtë vit janë regjistruar 1,500 specializantë për nevojat e Republikës së Kosovës dhe Luginës së Preshevës ndërsa për konkursin e ri, Zemaj nuk ka treguar se sa vende janë të lira.

Konkurs për specializime nuk ka pasur që nga viti 2016.