Foto: Facebook / Edi Rama

Shqipëri, arrijnë edhe 40,800 vaksina AstraZeneca

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se kanë arritur edhe 40,800 vaksina AstraZeneca, pjesë e financimit të qeverisë shqiptare, nëpërmjet instrumentit COVAX.

Rama ka deklaruar se janë të vendosur që të çojnë deri në fund planin kombëtar të vaksinimit.

“Me 899,550 vaksinat AntiCovid që kanë mbërritur deri tani në Shqipëri dhe sasitë e tjera të vaksinave që do të vijnë sipas kalendarit të kontratave që kemi siguruar, jemi të vendosur të çojmë deri në fund planin kombëtar të vaksinimit, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të çdo qytetari”, ka shkruar kryeministri shqiptar në rrjetin social “Facebook”.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri, në 24 orët e fundit janë kryer 3,881 vaksinime dhe prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 780,342 doza të vaksinës ndaj COVID19.

Prej tyre 293,264 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID-19.