Arben Vitia vaksinohet me ‘AstraZeneca’ fton qytetarët të aplikojnë për vaksinim

Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë është vaksinuar sot ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Pas vaksinimit ai u drejtuar qytetarëve përmes konferencës për media, duke bërë apel te qytetarët që të vaksinohen me vaksinën ‘AstraZeneca’, vaksinë me të cilën u vaksinua edhe ai.

“Vaksinimi është rruga e vetme për ta fituar betejën me COVID-19. Rruga e vetme në këtë kohë për të siguruar shëndetin e popullatës, mirëqenien sociale e ekonomike, dhe, nga sa po e shoh, është edhe mënyra e vetme për të siguruar edhe lëvizjen e qytetarëve tanë në shtet tjera”, tha Vitia para mediave.

Ministri tha se kanë siguruar 2 milionë vaksina dhe se kanë siguruar një stok përmes së cilit sigurohet procesi i mirëfilltë i vaksinimit masiv kundër COVID-19.

Kosova nga fillimi i imunizimit ka përdoruar dy lloje të vaksinave, ‘AstraZeneca’ dhe ‘Pfizer’, për këtë Vitia gjatë konferencës potencoi se vendi ynë është ndër vendet e rralla të rajonit i cili nuk ka pranuar vaksina të paaprovuara nga EMA dhe FDA, dy agjenci me kredibilitet botëror për aprovimin e cilësisë së  produkteve medicinale, andaj ai kërkoi nga qytetarët të aplikojnë për vaksinimi në platformës e- Kosova ku qytetarët do të mund të aplikojnë për vete dhe për pesë anëtarë të tjerë të familjes.

Vitia theksoi se nuk do të marrin as vaksinë ruse dhe as kineze.

“Do të marrim vetëm vaksina të aprovuara dhe nuk do të marrim as vaksina ruse as kineze. Kjo nuk ka të bëjë fare me politikën, por me sigurinë e vaksinave dhe qytetarëve tanë. Sot nuk është koha të stigmatizohen vaksinat e dëshmuara, siç bëjnë individ të papërgjegjshëm përmes përhapjes së panikut në publik. Sot është koha t’i themi po vaksinës ‘AstraZeneca’ me të cilën u vaksinova edhe unë”, theksoi Vitia.

Fushata e vaksinimit në Kosovë ka filluar më 29 mars 2021, dhe deri më tani më dozën e parë janë vaksinuar 236 mijë e 35 qytetarë. Dhënia e dozës së dytë me vaksinë kundër SARS-CoV-2 ka filluar më 9 qershor të këtij viti dhe deri më tani janë vaksinuar 57 mijë e 994 qytetarë.

Një qytetar është i vaksinuar komplet në momentin që vaksinohet edhe me dozën e dytë kundër coronavirusit.