Shqipëri, arrestohet babai nën dyshimin se vrau djalin e tij me çekiç

Një vdekje aksidentale fillimisht ishte raportuar në fshatin Zvezdë në Shqipëri, e cila kishte ndodhur gjatë ditës së djeshme.

Një 50 vjeçar sipas Policisë së Shtetit fillimisht ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Korçës. Policia menjëherë kishte shkuar në vendin e ngjarjes për të verifikuar rastin dhe për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur.

Fillimisht familjarët e tij kanë deklaruar se 50-vjeçari, duke qenë në gjendje të dehur, ishte rrëzuar aksidentalisht në banesën e tij dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë.

Pas hetimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor i përbërë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatin e Policisë Maliq dhe specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, u bë e mundur zbardhja e plotë e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Nga hetimet e thelluara dhe provat e siguruara rezultoi se pasditen e djeshme, 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur, është konfliktuar në banesë me babain e tij Sh. B., 77 vjeç, të cilin ka dashur t’a hedhë në pusin e ujit në oborr.

Më pas 77-vjeçari, e ka goditur disa herë në kokë me mjete të forta (çekiç që përdoret për të thyer gurë), ku si pasojë e dëmtimit të rëndë, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. B., 77 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.