Ilustrim

Shqipëri, arrestohen 216 shpërndarës të drogave

Në Shqipëri, mbi 200 persona, të dyshuar si pjestarë të rrjeteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike, u arrestuan gjatë një operacioni të Policisë të shtrirë në të gjithë vendin, ndërsa 80 të tjerë janë shpallur në kërkim. Drejtori i Përgjithshëm i policisë, Muhamet Rrumbullaku deklaroi se falë operacionit të sotëm janë goditur 23 grupe kriminale

Një numër shumë i madh forcash të policisë u angazhuan në operacionin e koduar “Tempulli”, i realizuar njëkohësisht në të gjitha qytetet kryesore të vendit për të goditur shpërndarësit e lëndëve narkotike të cilët vepronin kryesisht pranë shkollave dhe bareve. Drejtori i Përgjithshëm I Policisë, Muhamet Rrumbullaku deklaroi se “janë siguruar provat ligjore dhe është dokumentuar përfshirja në aktivitetin kriminal të shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike, për një numër të konsiderueshëm shtetasish të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Bazuar në aktet procedurale dhe provat e siguruara nga prokuroritë e rretheve gjyqësore dhe gjykatat respektive, në të gjithë vendin, janë miratuar 296 masa sigurie; janë miratuar 356 vendime për kontroll banesash dhe ambientesh të tjera; janë ekzekutuar 216 masa sigurie; janë arrestuar ne flagrancë, gjatë kontrolleve, 30 shtetas si dhe janë shpallur në kerkim 82 shtetas”.

Gjatë operacionit janë sekuestruar të paktën 13 armë zjarri, 134.5 kg kanabis, 364 fara kanabisi, 1.2 kg kokainë, mijëra doza kanabisi, kokaine dhe heroine, qindra doza MDMA, tableta ekstazi, sasi të drogave sintetike GAB dhe Poppers, 23 peshore elektronike, 3 mjete për përpunimin dhe ndarjen e lëndëve narkotike në doza, 225 celularë, 35 automjete, dhe vlera monetare në lekë dhe valuta të huaja.

Sipas Drejtorit Rrumbullaku, falë këtij operacioni “të zhvilluar në shkallë kombëtare, bazuar në numrin e shtetasve të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, është bërë e mundur goditja dhe shkatërrimi i 23 grupeve kriminale që vepronin qytetet Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Elbasan”.

I pranishëm në mjediset e Drejtorisë së policisë, për të përshëndetur operacionin e sotëm, ministri i Brendshëm Taulant balla, njoftoi se në ditët në vijim do të bëhen publike “edhe propozimet tona për ndryshime në Kodin Penal për “dyfishim” të dënimit të krimeve që ndodhin brenda perimetrit të sigurisë në shkolla ku fokusi i veçantë mbetet dyfishimi i të gjitha formave të dënimit për shpërndarjen, shitjen e lëndëve narkotike, brenda perimetrit të sigurisë në shkolla”

Në 8 muajt e parë të këtij viti, sipas policis, janë sekuestruar 829 kg kanabis, një pjesë e saj e përpunuar në formë çokollate, mbi 61 kg heroinë, më shumë se 15 kg kokainë si dhe disa kilogram ekstazi./VOA