Foto: Niko Peleshi, Facebook
Shpëtohen me helikopter dy turistë të huaj që mbeten të bllokuar në Majën e Jezercës
Dy turistë të huaj të cilët kishin mbetur të bllokuar sot në Majën e Jezercës në Shqipëri janë shpëtuar me helikopter nga ekipet e kërkim shpëtimit.
Të njëjtit janë bllokuar në lartësinë 2500 metër.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi.
Sipas tij, ata mbeten të bllokuar për shkak të motit të keq.
“Efektivët e kërkim shpëtimit ndihmuan dy turistë të huaj, të cilët ishin bllokuar në lartësinë 2500 metër, në malin e Jezercës për shkak të motit të keq. Ata u shpëtuan me ndihmën e helikopterit dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore”- ka thënë ai.
Pjesë e këtij operacioni kanë qenë edhe Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit malor të Kosovës.
Maja e Jezercës është 5 kilometra nga kufiri me Malin e Zi, midis luginave të Valbonës në lindje dhe Shalës në perëndim.
Ajo është maja më e lartë në Alpet Dinarike, e katërta më e lartë në Shqipëri dhe e gjashta më e larta në Ballkan, me lartësi 2,694 metra mbi nivelin e detit.