
Forcat e Amatosura të Shqipërisë në Kukës, Foto: Niko Peleshi/Facebook
Forcat e Armatosura të Shqipërisë vendosen në Kukës, të gatshme për t’i ndihmuar Kosovës për t’u përballur me vërshimet (VIDEO)
Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë vendosur në Kukës, duke qëndruar të gatshëm për të mbështetur vendet e prekura nga vërshimet në Kosovë.
Kështu ka njoftuar ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi.
“Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit. Të gatshëm të ndërhyjmë në koordinim me autoritetet e Kosovës, në rast të përkeqësimit të situatës. Me vëllezërit tanë në ditë të mira dhe të vështira” – ka shkruar Peleshi.
Ditëve të fundit, disa qytete të Kosovës janë përballuar me vërshime. Ndër më të prekurat janë Skenderaj, Mitrovica, Peja, Deçani, Podujeva, Istogu, Klinë e të tjera.
Niveli i ujit është ulur dhe në pah kanë dalë pasojat që ka lënë uji pas. Dëmtime në prona, kafshë shtëpiake, biznese, vetura e infrastrukturë rrugore.
Aktualisht vendet e prekura nga vërshimet janë duke u përballur me mungesë të ujit e të rrymës. Niveli lokal është duke ngritur komisione për vlerësime të dëmeve.