Shpenzimet e parasë publike, Gazmend Muhaxheri shpenzoi gati 3 mijë litra naftë brenda një viti

I pari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, gjatë vitit të kaluar shpenzoi 2 mijë e 982 litra naftë.

Jo shumë pak litra naftë shpenzoi edhe numri dy i kësaj komune, Fatmir Asllani. Vetura zyrtare e nënkryetarit të Pejës shpenzoi plot 2 mijë 591 litra.

Këto të dhëna i ka konfirmuar vetë kryetari i komunës, Muhaxheri, përmes një përgjigje me shkrim për KALLXO.com.

Komuna e Pejës numëron 30 vetura zyrtare. Të gjitha këto, por edhe të OJQ-ve të cilat financohen nga komuna, vetura e dializës, të zjarrfikësve dhe autoambulancat, brenda vitit 2019, shpenzuan 149 mijë e 25 euro për karburante.

Në një përgjigje me shkrim, komuna ka treguar edhe për shpenzimet e telefonit nga kryetari, nënkryetari dhe drejtorët e komunës.

“Shpenzimet e telefonit për Kryetarin dhe Nënkryetarin janë pako nga 54€ në muaj, e cila nuk mund të tejkalohet dmth 54 x 12 = 648€ në vit, për Kryetarin dhe Nënkryetarin. Shuma e mbetur e pashpenzuar, baret në muajin vijues. Sa i përket drejtorëve, ata përdorin pakon me mbushje mujore në vlerë prej 25€, apo 300€ në vit. Poashtu, as kjo pako nuk mund të tejkalohet”, thuhet në përgjigje.

Një hulumtim të gjatë mbi punën dhe mos punën e Gazmend Muhaxherit në krye të Pejës mund ta lexoni më poshtë:

Lotët e Gazit që nuk ia sollën investimet në turizmin e Pejës

www.kallxo.com