Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës

Shpend Ahmeti mohon se ka pasur përleshje me Afrim Tovërlanin

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka mohuar lajmet se është përleshur me trajnerin e futbollit Afrim Tovërlanin.

Ai ka sqaruar se Tovërlani mbrëmë ka shkuar në shtëpinë e tij, porse ai s’ka qenë në shtëpi.

Sipas Ahmetit, Tovërlani vetë e ka thirrur Policinë, e cila e ka arrestuar.

Përmes një postimi Ahmeti ka thënë se nuk ndihet i kërcënuar dhe se pret që trajneri të sqarojë situatën.

“Afrimin e njoh moti dhe e kam mik. Ka qenë mbrëmë të shtepia kur nuk kam qenë unë dhe e ka thirr vetë policinë e cila me të arritur e ka arrestuar.  Nuk ndihem as i kërcënuar e as i rrezikuar nga Afrimi edhe pse vizitat e vona në shtëpi kur nuk jam prezent dhe me fëmijë të mitur prezent nuk janë të mirëseardhura.  Mirëpo, nuk ka pas as fjalosje e as ndonjë fjalë të rëndë me fëmijet dhe familjen“, ka thënë Shpend Ahmeti.

Policia e Kosovës kishte konfirmuar se mbrëmë rreth orës 17:50, Afrim Tovërlani kishte qenë nën ndikimin e alkoolit dhe të njëjtit i është konfiskuar një thikë.

Me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.