Ilustrim
Dosja e Policisë për arrestimin e Afrim Tovërlanit te shtëpia e Shpend Ahmetit
Dje në media është raportuar se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti është kanosur në shtëpinë e tij nga Afrim Toverlani, i cili më pas kishte lajmëruar Policinë e Kosovës.
KALLXO.com ka siguruar raportin e Policisë lidhur me këtë rast.
“Më datën 25.10.2021 rreth orës 17:50, është pranuar informacioni nga baza që është parqitur rasti i kanosjes në ‘Lagjen Nic’ të Graçanicës. Saktësisht në shtëpinë e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit. Me të arritur njësitet e patrullës policore, në lokacion kanë takuar katër persona meshkuj kosovar, L. R., mik i Shpend Ahmetit, N. I. (ndihmës), E. P. (vozitës), si dhe Afrim Toverlani, i cili edhe e ka lajmëruar rastin në polici”, thuhet në dosjen e Policisë, të siguruar nga KALLXO.com
Tutje në dosje theksohet se pas kontrollës së Tovërlanit, është gjetur armë e ftohtë (thikë). Pas konfiskimit të së njëjtës, i dyshuari është transportuar në stacionin policor në Graçanicë, ku i është bërë testimi i ndikimit nga alkooli, i cili ka dalë të jetë 1.7% e prezencës së alkoolit në gjak.
Mbrëmë Shpend Ahmeti kishte reaguar për situatën e raportuar në media.
“Afrimin e njoh moti dhe e kam mik. Ka qenë mbrëmë të shtepia kur nuk kam qenë unë dhe e ka thirr vetë policinë, e cila me të arritur e ka arrestuar. Nuk ndihem as i kërcënuar, e as i rrezikuar nga Afrimi, edhe pse vizitat e vona në shtëpi kur nuk jam prezent dhe me fëmijë të mitur prezent nuk janë të mirëseardhura. Mirëpo, nuk ka pas as fjalosje, e as ndonjë fjalë të rëndë me fëmijët dhe familjen”, kishte deklaruar Ahmeti.