Tovërlani i kënaqur me fitoren ndaj Gjilanit

Feronikeli ka shënuar fitore të thellë me rezultat 4-0, ndaj Gjilanit në xhiron e parë në Superligë.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Afrim Tovërlani ka treguar lojë të mirë ndaj nënkampionit të Superligës, duke mos e vënë në diskutim asnjëherë fitoren e sotme.

Trajneri i kësaj skuadre, Afrim Tovërlani është ndarë i kënaqur me fitoren e sotme ndaj Gjilanit, duke thënë se lojtarët e tij kanë mundur të shënojnë më shumë gola.

“Sa i përket angazhimit është për çdo lëvdatë. Kemi pasur raste për të shënuar më tepër gola, por gjithsesi kemi mbetur të kënaqur edhe me këtë rezultat, sidomos ndaj një skuadre të fortë si Gjilani, që për të ju thënë të drejtën më ka befasuar jo për të mirë. Ne kemi ende për të punuar që të komponohemi sa më shumë në ndeshjet e radhës”, deklaroi Tovërlani pas ndeshjes.

Toverlani spreson që të rikthehen tifozët në stadiume në xhirot e ardhshme.

“Shpresoj që tifozët do të jenë sa më shpejtë në shkallët e tribunave. Këtë sezonë shpresojmë t’i gëzojmë tifozët tanë me rezultate më pozitive”, ka përfunduar Tovërlan për “ArtSport”.

Në xhiron e ardhshme Feronikeli do të luajë si myafir ndaj Ballkanit në Suharekë.