Shpend Ahmeti: Liburn Aliu dhe të tjerët po akuzohen sepse kanë mbrojtur interesin publik

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, do të përballet në gjykatë me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Liburn Aliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për kohën kur ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Ndaj këtij lajmi ka reaguar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke thënë se Aliu së bashku me zyrtarët e tjerë të akuzuar kanë mbrojtur interesin publik dhe atë të Komunës.

“Edhe pse ne nuk e kemi marr zyrtarisht aktakuzën dua të them se titulli nuk është i saktë.  Aktakuza është për keqpërdorim të detyrës pse nuk kanë lëshuar leje. Pa marr parasysh faktin se unë dhe Liburni mund të mos pajtohemi politikisht, unë mund të them me përgjegjësi të plotë që Liburnj, Ardiani dhe zyrtarët tonë sot po akuzohen sepse kanë mbrojtur interesin publik dhe atë të Komunës”, ka shkruar ai.

Ahmeti ka shtuar tutje se personat e akuzuar kanë refuzuar të lëshojnë leje në një vend ku ishte paraparë të ndërtohet shkollë.

“Pra akuza nuk është se kanë dhënë leje për të përfituar personalisht por kanë refuzuar leje për të mbrojtur interesin publik.  Ardiani, Liburni, Mimoza Bahtija kanë refuzuar me lëshu leje në një vend ku me plan ka qenë e paraparë shkolla.  Pala ka gjetur hapësirë duke thënë se në Planin Zhvillimor nuk shkruan shkolle por banim”, thuhet tutje në postimin e kryetarit të Prishtinës.

Ahmeti ka theksuar se “në qoftë se qëllimi është për të dëmtuar Liburnin e tjerët janë dëm kolateral kjo nuk është mënyra e duhur”.