Ilustrim

Shoqata e Sigurimeve arsyeton rritjen e çmimeve për sigurimin e automjeteve

100 mijë llogaritet të jetë numri i automjeteve që nuk janë të siguruara në Kosovë.

Kështu kanë thënë, Shoqata e Sigurimeve të Kosovës me anë të një njoftimi në të cilën tregojnë edhe se kompanitë e sigurimeve për 18 vite paguan 400 milionë euro dëme të pësuara, ndërsa 23,5 milionë euro kishin pësuar humbje për 6 vite.

“Sektori i Sigurimeve në vendin tonë edhe më tutje vazhdon të punoj me bilanc vjetor negativ për shkak të shumës së madhe të mjeteve që kompanitë e sigurimeve për çdo vit detyrohet të paguajnë në emër të dëmeve të mëdha që shkaktohen në vend nga automjetet e siguruara, por edhe rreth 100 mijë automjete të pasiguruara sa llogaritet të jenë në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës.

Gjithashtu, në njoftim thuhet edhe duke iu referuar të dhënave zyrtare Kosova ka numrin më të madh të automjeteve të pa siguruara se të gjithë shtetet e rajonit.

“Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet shumë qartë se nga vitit 2002, e deri në fund të muajit shtator të këtij viti, shuma e dëmeve të kompensuar kalon shifrën mbi 400 milionë euro, shifër kjo më e lartë krahasuar me vendet e rajonit”, thuhet në njoftim.

Të gjitha kompanitë e sigurimit sipas Shoqatës së Sigurimeve, të cilat kanë operuar në Kosovë nga viti 2002 kanë pësuar humbje më shumë se 23. 5 milion euro, që i bie për cdo vit nga 1.3 milion.

“Përveç numrit në rritje të automjeteve të pa siguruara, numrit në rritje të aksidenteve, në bilancin negativ vjetor të kompanive të sigurimit kanë ndikuar edhe obligimet shtese që industria e sigurimit është dashur të paguaj ndaj shtetit, si asnjë korporatë tjetër në Kosovë”, thuhet në njoftim.

“Kompanitë e sigurimit janë në gjendje të rendë financiare, pasi që ka rritje ekstreme të aksidenteve me lëndime të rënda, por edhe aksidenteve më lëndime të lehta. Kjo që ka ndodhur në vendin tonë nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të rajonit, por edhe më larg. Ka rritje të konsiderueshme të dëmeve, polica e sigurimit e cila edhe më rritjen e fundit ka çminim më të lirë në rajon, deri sa ka një mbulueshmëri deri në një milionë euro, shumë kjo e barabartë me shtete të zhvilluara Evropiane”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

Sipas tyre industria e sigurimit në Kosovë, luan edhe një rol të rëndësishëm në aspektin social, pasi që sipas shoqatës, në të direkt dhe indirekt punësohen mbi 2700 punëtor në të gjitha komunat e vendit.

“Tendenca për të dëmtuar industrinë e sigurimeve, ku më shumë se gjysma është me kapital të huaj dëmton edhe imazhin e vendit karshi investitorëve të huaj të cilët edhe më tutje Kosovën e shohin si mundësi për ta investuar një pjesë të kapitalit të tyre”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

Shoqata e Sigurimee të Kosovës ka kërkuar që Kompanitë e Sigurimeve të trajtohen dhe vlerësohen si aset dhe faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik dhe i stabilitetit financiar.

“Pronarët realë të kompanive te Sigurimit janë polisëmbajtësit, pra qytetarë të Kosovës”, përfundon njoftimi i Shoqatës së Sigurimeve.

Më 1 nëntor të këtij viti KALLXO.com raportoi se Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka marrë vendim për rritje të çmimit të sigurimit të veturave. Rritja e çmimit do të bëhen në nivel me rritjen e normës së inflacionit (rritjes totale të çmimeve) që nga viti 2002 e deri në vitin 2018.

Sipas këtij vendimi, BQK-ja ka kërkuar nga siguruesit që t’i përshtatin tarifat aktuale të sigurimit të veturave për kategorinë e mjeteve për pasagjerë, të cilat janë në fuqi që nga data 1 korrik 2001, me normën e inflacionit zyrtar të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të datës 01.01.2002 deri më 31.12.2018.

BQK i rrit çmimet për sigurimin e veturave

Rritja për 26% e tarifës për sigurimin e automjeteve ka nxitur reagime, peticione dhe protesta nga qytetarët.

Grupi i ‘Marakli t’kerreve’ ka paralajmëruar protestë për të premten me 22 nëntor nga ora 13:00 për të kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK)

Paralajmërohet edhe një protestë kundër shtrenjtimit të sigurimeve të automjeteve