Ilustrim

BQK i rrit çmimet për sigurimin e veturave

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka marrë vendim për rritje të çmimit të sigurimit të veturave. Rritja e çmimit do të bëhen në nivel me rritjen e normës së inflacionit (rritjes totale të çmimeve) që nga viti 2002 e deri në vitin 2018.

Sipas këtij vendimi, BQK-ja ka kërkuar nga siguruesit që t’i përshtatin tarifat aktuale të sigurimit të veturave për kategorinë e mjeteve për pasagjerë, të cilat janë në fuqi që nga data 1 korrik 2001, me normën e inflacionit zyrtar të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të datës 01.01.2002 deri më 31.12.2018.

“Përshtatja e tarifës së primeve përkatëse me inflacion duhet të bëhet duke zbritur normën e tatimit në qarkullim prej 5 përqind e cila ka qenë në fuqi deri më 25 korrik 2019 me hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 06/L -105 për tatimin në të ardhurat e korporatave, ku siguruesit ju nënshtrohen tatimit në fitim”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Sipas BQK-së, kjo është bërë me qëllim që tarifat e sigurimit të reflektojnë më mirë zhvillimet në ekonominë e vendit dhe në këtë mënyrë të krijojnë kushtet për rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit të sigurimeve, si dhe përmbushjes së rekomandimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për rishikim të tyre.

“Përshtatja e tarifave për kushtet e inflacionit ka ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e qëndrueshmërisë së këtij sektori, duke rritur kështu aftësinë e kompanive të sigurimit për kompensim të drejtë dhe me kohë të dëmeve për policëmbajtësit”, vazhdon njoftimi i Bankës Qendrore. 

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, duke vepruar në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe duke u bazuar edhe në Raportin Vlerësues të Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar 2019 të kryer nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka filluar procesin e rishikimit dhe vlerësimit të primit të rrezikut për sigurimin e detyrueshëm nga auto përgjegjësia. 

Në njoftimin e BQK-së thuhet se çmimet aktuale të primeve për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia ndaj palës së tretë kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2001. 

“Në këtë periudhe të gjatë që nga koha kur ato janë përcaktuar, në tregun ku operojnë kompanitë e sigurimeve kanë ndodhur zhvillime të shumta, të cilat në mënyra të ndryshme kanë pasur ndikim mbi kompanitë e sigurimeve si dhe policëmbajtësve dhe e kanë bërë të domosdoshëm inicimin e rishikimit të këtyre çmimeve në mënyrë që ato të reflektojnë në mënyrë më adekuate kushtet e tregut”, potencohet në njoftimin e BQK-së.

Sipas BQK-së, në kuadër te faktorëve kryesorë që kanë ndikuar kushtet e tregut gjatë kësaj periudhe, përfshihen: rritja e numrit të dëmeve dhe rritja e vlerës së pagesës së dëmeve, posaçërisht të automjeteve të kategorisë I; rritja e shumës së detyrueshme minimale të sigurimit për kontraktimin e sigurimit të autopërgjegjësisë me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.04/L-018 për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia në vitin 2011.

Gjithashtë ndër këta faktorë janë edhe efekti i aplikimit të sistemit Bonus-Malus në zbatim që nga viti 2013 dhe që sipas llogaritjeve dhe trendit rënës të të ardhurave të siguruesve për efekt të Bonus Malusit. Sipas kalkulimeve të bëra është projektuar që në fund të vitit 2019 këto të ardhura të zbriten për rreth 19 përqind dhe se 93-94 përqind të policëmbajtësve nuk shkaktojnë aksident prandaj edhe përfitojnë bonus që shkakton edhe të ardhura më të ulëta për siguruesit dhe veçanërisht shkalla e inflacionit, e cila ka ndikuar drejtpërsëdrejti në rritjen dhe mbulimit të kostos së dëmeve, si për nga çmimet e riparimit tek dëmet materiale, por edhe si pagë me rastin e kompensimit të fitimit të humbur apo mbajtjes së humbur tek dëmet jomateriale, si pasojë e rritjes së pagës mesatare. 

Duke u bazuar në faktorët e lartcekur është ndërmarr studimi aktuarial, i cili ka sugjeruar për rritje të tarifave të Kategorisë I (automjete me pasagjerë) për 36.56%. 

“Megjithatë, BQK në vlerësimin e saj ka identifikuar disa faktorë të cilët nuk janë reflektuar plotësisht në raportin aktuarial, prandaj edhe ka refuzuar kërkesën e kompanive të sigurimit për ndryshim të tarifave duke u bazuar në atë raport”, theksohet në raport.

Sidoqoftë, BQK-ja vlerëson se kompanive të sigurimit duhet t’u mundësohet përshtatja e tarifave të Kategorisë I për shkallën e inflacionit të ndodhur gjatë periudhës 2002-2018 në mënyrë që këto tarifa të sigurimit të reflektojnë sa më mirë kushtet aktuale të ekonomisë. 

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi është institucion i pavarur dhe përgjegjës për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve financiare në Republikën e Kosovës. 

BQK-ja do të intensifikojë angazhimin e saj me qëllim që sektori i sigurimeve të jetë në zbatim të plotë të legjislacionit dhe rregullativës në fuqi. Në këtë drejtim, në periudhën në vazhdim BQK-ja do t’i kushtojë vëmendje të veçantë zbatimit të kërkesave ligjore dhe rregullative. Moszbatimi i kërkesave të tilla nga siguruesit do të përcillet me masa adekuate administrative, duke mos përjashtuar edhe revokimin e licencave për kompanitë të cilat nuk zbatojnë legjislacionin në fjalë.