Ilustrim

Paralajmërohet edhe një protestë kundër shtrenjtimit të sigurimeve të automjeteve

Rritja për 26% e tarifës për sigurimin e automjeteve ka nxitur reagime, peticione dhe protesta nga qytetarët.

Grupi i ‘Marakli t’kerreve’ ka paralajmëruar protestë për të premten me 22 nëntor nga ora 13:00 për të kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

“Duke e ditur këtë fakt i cili prek gjepat e secilit qytetar dhe përkeqëson edhe më tutje gjendjen tonë ekonomike, ne si komuniteti më i madh i veturave në Kosovë dhe më gjerë nuk do rrimë duarkryq, prandaj me datë 22 NËNTOR 2019 (E Premte ) nga ora 13:00 grupi “Marakli t’kerreve” organizon protestë me qëllimin e vetëm, atë të kundërshtimit të këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ata njoftojnë se protesta do të mbahet në rrugën “Luan Haradinaj” pranë BQK-së.

Përveç kësaj, lidhur me këtë vendim pritet edhe një proteste për të shtunën nga grupi “Speedomaniaks”, nga ora 16:00 para BQK-së.

“Ju bëjmë apel të gjithë personave, grupacioneve, bizneseve që sa më masivisht të dalim të shtunën me datën 23 nëntor në ora 16:00 para objektit të BQK. Protesta është organizuar nga grupi Speedomaniaks, dhe janë të ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas grupit “Speedomaniaks”, në Francë derivatet janë rritur për 2 cent më shumë, të gjithë qytetarët janë organizuar që ta heqin atë vendim, kurse në shtetin tonë çmimet e sigurimeve janë rritur edhe me qindra euro.

Vendimi i BQK-së për tarifat e reja ka hyrë në fuqi më 15 nëntor të këtij viti.

Sipas BQK-së, kjo është bërë me qëllim që tarifat e sigurimit të reflektojnë më mirë zhvillimet në ekonominë e vendit dhe në këtë mënyrë të krijojnë kushtet për rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit të sigurimeve, si dhe përmbushjes së rekomandimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për rishikim të tyre.

BQK i rrit çmimet për sigurimin e veturave