Shkumbin Ahmetxhekaj/ Facebook

Shkumbin Ahmetxhekaj renditet i pari në konkursin për drejtor të RTK-së

Pas përfundimit të intervistimit së kandidatëve për drejtor të përgjithshëm në Radio Televizionin e Kosovës, ushtruesi i detyrës së drejtorit në RTK, Shkumbin Ahmetxhekaj është renditur i pari pas kalkulimit të pikëve të testit me shkrim dhe intervistës.

Kështu ka njoftuar në një komunikatë për media bordi i RTK-së.

Sipas njoftimit të bordit të RTK-së Ahmetxhekaj ka grumbulluar 80.7 pikë në testin me shkrim dhe 78.0 në intervistë pra në total, ai është vlerësuar me 158.7 pikë.

Kundërkandidati, Bekim Hasani është renditur i dyti, i cili është vlerësuar me një total prej 155.6 pikë , 79.4 pikë në test me shkrim dhe 76.2 pikë në intervistë.

I treti është renditur Gjergj Filipaj, i cili është vlerësuar me një total prej 133.4 pikë, 63.9 pikë në test me shkrim dhe 64.1 pikë në intervistë.

Arben Berisha, i katërti në rend është vlerësuar me një total prej 131.0 pikë, 65.8 në test me shkrim dhe 65.2 në intervistë.

Ndërsa e pesta është renditur Adriana Kutllovci e cila është vlerësuar me një total prej 90.1 pikë, 50.0 pikë në test me shkrim dhe 40.1 pikë në intervistë.

Sipas njoftimit të bordit të RTK-së, kandidatët janë përgjigjur në pesë pyetjet e njëjta të përpiluara nga komisioni ndërkaq secili anëtar i komisionit vlerësimin e ka bërë në mënyrë të pavarur për secilën pyetje.

“Kandidatët janë përgjigjur në pesë pyetjet e njëjta te përpiluara nga komisioni (një orë para intervistës), ndërkaq secili anëtar i komisionit vlerësimin e ka bërë në mënyrë të pavarur për secilën pyetje. Gjithashtu, në kuadër të transparencës dhe vlerësimit korrekt, anëtarët e komisionit e kanë arsyetuar vlerësimin për secilën pyetje para anëtarëve të tjerë të komisionit dhe monitoruesve”, thuhet në njoftim.

Tutje bordi ka njoftuar se tre kandidatët Fisnik Dërguti, Hysen Hundozi dhe Fadil Hoxha nuk janë paraqitur në intervistë.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme, KALLXO.com ka raportuar se kandidatët Fisnik Dërguti, Hysen Hundozi dhe Fadil Hoxha janë tërhequr nga gara për drejtor gjeneral të Radiotelevizionit të Kosovës.

KALLXO.com gjithashtu ka raportuar për dallime të mëdha në poentim nga anëtarët e bordit për përgjigjet e njëjta të kandidatëve për drejtor të RTK-së.

KALLXO.com ka shkruar më 14 mars se tetë kandidatë për drejtor të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë arritur të kalojnë testin me shkrim dhe janë ftuar për fazën e fundit të konkursit – intervistë.

Në fillim të muajit shkurt, bordi i RTK shpalli konkurs për drejtor të përgjithshëm të këtij institucioni.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN është duke e monitoruar procesin qysh prej shpalljes së konkursit.