Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Tre kandidatë tërhiqen nga gara për drejtor të RTK-së
Fisnik Dërguti, Hysen Hundozi dhe Fadil Hoxha janë tërhequr nga gara për drejtor gjeneral të Radiotelevizionit të Kosovës.
Dërguti ka thënë se nuk do të marrë pjesë nesër në fazën e intervistimit nga bordi i RTK-së pasi sipas tij konkursi është i ‘përgatitur’.
Ai ka përmendur edhe dallimet në poentim nga anëtarët e bordit për përgjigjet e njëjta të kandidatëve për drejtor.
“…Si është e mundur të jetë dallimi kaq i madh i pikëve në mes kryetarit dhe anëtarëve tjerë të bordit në pyetjen e njëjtë. Ndryshe unë nuk do te jem pjesë e intervistimit me gojë pasi që duket qartë që ky konkurs i përgatitur për UD të Drejtorin e Përgjithshëm”, ka bërë të ditur Dërguti.
Ndërkaq, Hysen Hundozi e ka quajtur “votim të orkestruar” poentimin e anëtarëve të bordit të RTK-së, ndërsa ka shtuar se nuk do të marrë pjesën nesër në intervistim.
Ai e ka quajtur ofendim reagimin e bërë sot nga kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini.
“Pas prononcimit tuaj të sotëm publik për zhvillimet e fundit rreth konkursit për Drejtor të Përgjithshëm te RTK-së, në të cilin ju drejtoni një sërë akuzash deri në shkallë ofendimi ndaj kandidatëve të këtij konkursi si dhe për shkak të vlerësimit tim se ky proces është karakterizuar me mungesë të konsiderueshme të transparencës, objektivitetit, ligjshmërisë e profesionalizmit, ju njoftoj se unë Hysen Hundozi, kandidat në këtë konkurs, nuk do të marrë pjesë në intervistën e neserme me gojë”, thuhet në reagimin e Hundozit.
Ai ka shtuar se “luftën ligjore për këtë proces do ta bëjë në instanca të tjera”.
Edhe kandidati tjetër për drejtor të RTK-së, Fadil Hoxha ka njoftuar se është tërhequr nga gara për drejtor gjeneral të RTK-së.
Këtë e ka bërë të ditur në një interivistë për ‘Kanal10’.
“Kam hequr dorë nga kandidimi për drejtor në RTK, procesi duhet të kthehet në pikën fillestare”, ka thënë ai.
KALLXO.com ka raportuar për dallime të mëdha në poentim nga anëtarët e bordit për përgjigjet e njëjta të kandidatëve për drejtor të RTK-së.
Ndërsa nesër do të zhvillohet procesi i intervistimit të kandidatëve për drejtor të RTK-së.
Sot gjatë ditës, kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini përmes një shkrimi ka reaguar ndaj, siç i quan ai, ‘tendencave’ që të njolloset puna e Bordit të RTK-së, përmes procesit të vlerësimit për kandidatët për drejtor të RTK-së.
Sipas tij, në kuadër të transparencës dhe për të qenë korrekt me secilin kandidat, monitoruesit dhe opinionin publik, bordi i ka publikuar të gjitha detajet e vlerësimit.