Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dallime të mëdha në poentim nga anëtarët e bordit për përgjigjet e njëjta të kandidatëve për drejtor të RTK-së

Pas kërkesës së bërë nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka vendosur të publikojë listën e vlerësimit të kandidatëve në testin me shkrim, në të cilën tregohen pikët që kanë marrë kandidatët në secilën përgjigje të dhënë nga secili anëtar i komisionit vlerësues.

Me publikimin e listës së vlerësimit janë zbardhur dallime të mëdha në poentim që janë bërë nga anëtarët e komisionit vlerësues në përgjigjen e njëjtë të dhënë nga kandidatët për drejtor të RTK-së. Madje, ka raste kur përgjigjen e një kandidati, njëri anëtar i komisionit vlerësues e ka vlerësuar me 15 pikë (pikë maksimale), kurse anëtari tjetër i komisionit i ka dhënë 0 pikë për të njëjtën përgjigje. 

BIRN ka bërë kërkesë për qasje në dokumente për pikët që kanë dhënë anëtarët e komisionit për secilin kandidat të testuar pasi bordi i RTK-së nuk i bën publike pikët e dhëna për secilin kandidat veç e veç nga secili anëtar i komisionit. Në ditën e testimit, komisioni vendosi që të kumtojë vetëm totalin e pikëve të kandidatëve.

BIRN e ka bërë kërkesën për qasje në këtë dokument duke u bazuar në praktikën që aplikohet në konkurset që asistohen nga ekspertët britanikë, në të cilët në mënyrë transparente bëhet poentimi i kandidatëve për përgjigjet e dhëna. 

Përveç vlerësimit transparent, ekspertët britanikë të angazhuar nga Ambasada britanike vazhdimisht kërkojnë sqarime dhe arsyetim të poentimit nga anëtarët e komisionit vlerësues në rastet kur ka diskrepancë të madhe në poentim.

Vlerësimi nga anëtarët e komisionit vlerësues është bërë në mënyrë autonome dhe pa u konsultuar me njëri-tjetrin, një praktikë e mirë që mos të ketë ndikim në poentim. Por, secili anëtar i komisionit gjatë vlerësimit para vetes ka pasur edhe çelësin me përgjigjet e sakta. Përkundër kësaj, serish janë evidentuar raste kur poentimi për të njëjtën përgjigje ka dallime të mëdha.

Disa pyetje kanë qenë të mbyllura kurse disa të hapura, kurse një pyetje ka qenë në gjuhën angleze. Sa i përket pyetjeve të hapura, në çelesin të cilin e ka poseduar secili anëtar i komisionit kanë qenë të listuara pikat kryesore që kandidati do të duhej t’i përmendte, që një pergjigje të konsiderohet e saktë.

Dallimet në poentim 

listën e publikuar nga bordi i RTK-së shihet se te të gjithë kandidatët ka diskrepancë në poentim. Megjithatë, te disa prej kandidatëve dallimet në poentim janë të mëdha dhe në më shumë se një pyetje.

Për kandidaten Adriana Kutllovci, në pyetjen e 6-të është vlerësuar me 3 pikë nga njëri anëtar i komisionit kurse nga anëtari tjetër ajo ka marrë maksimumin e pikëve – 15.

Për pyetjen e 6-të edhe kandidati tjetër Arben Berisha nga njëri anëtar ka marrë 3 pikë kurse nga tjetri 15 për të njëjtën përgjigje.

Për kandidatin Bekim Hasani, në pyetjen e 9-të një anëtar i komisionit përgjigjen e kandidatit e ka vlerësuar me 3 pikë kurse ka pasur anëtar që e ka vlerësuar me 12 pikë përgjigjen e njëjtë.

Dallim i madh në vlerësim është vërejtur te kandidati Fadil Hoxha në pyetjen e 6-të një anëtar i komisionit e ka vlerësuar me 0 pikë kurse anëtari tjetër e ka vlerësuar me maksimumin prej 15 pikëve të njëjtën përgjigje.

Edhe te kandidati tjetër Fahredin Shehu, një anëtar i komisionit për përgjigjen e dhënë në pyetjen numër 9 i ka dhënë 9 pikë kurse anëtari tjeter i ka dhënë 0 pikë.

Dallime në poentim kishte edhe te kandidati Fisnik Dërguti. Ai në përgjigjen e dhënë në pyetjen numër 9 nuk ka marrë asnjë pikë nga një anëtar i komisionit kurse një anëtar tjetër i ka dhënë 8 pikë.

Për pyetjen numër 11, ka anëtar të komisionit që kandidatit Gjergj Filipaj i kanë dhënë 2 pikë kurse anëtari tjetër përgjigjen e kandidatit e ka vlerësuar me 10 pikë.

Për kandidatin Hysen Hundozi, një anëtar i komisionit përgjigjen e kandidatit për pyetjen numër 10 e ka vlerësuar me 15 pikë, kurse një anëtar tjetër e ka vlerësuar me 6 pikë përgjigjen e njëjtë.

Kandidati Orhan Hajrizi në pyetjen numër 4, nga një anëtar i komisionit është vlerësuar me 0 pikë, kurse nga anëtar tjetër është vlerësuar me 7 pikë.

Kandidati Shkumbin Ahmetxhekaj për përgjigjen e dhënë në pyetjen e 10-të është vlerësuar me 15 pikë nga njëri anëtar i komisionit kurse ka marrë vetëm 2 pikë nga një tjetër anëtar i komisionit vlerësues.

Valentina Saraçini, kandidatja tjetër, për pyetjen numër 7 nga një anëtar është vlerësuar me 0 pikë kurse nga disa anëtarë të tjerë me 8 pikë. 

Po ashtu, në listën e vlerësimit të kandidatëve vërehen edhe dallime të tjera në vlerësim, të cilat mund t’i shihni në listën e vlerësimit të bashkangjitur në këtë artikull.

Lidhur me këto dallime në mënyrën e vlerësimit, BIRN ka kërkuar qasje në testet me shkrim të kandidatëve për drejtor të përgjithshëm të RTK.

RTK-ja i ka lejuar qasje në teste BIRN-it por vetëm për t’i parë ato dhe jo për të pasur një kopje të tyre.

Lidhur kërkesën tuaj për t’u qasur në testet me shkrim të kandidatëve për drejtor të përgjithshëm të RTK-së, si pjesë të dytë të përgjigjes, pas konsultimit edhe me zyrën ligjore të RTK-së, ju njoftoj se ju mund të keni qasje në këto teste për t’i parë, por jo edhe për ti marrë si kopje fizike në format të shtypur”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga Besnik Boletini, kryetari i bordit të RTK-së. 

Lidhur me këtë çështje, në bazë të nenit 14 të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike përcaktohet se formën e qasjes në dokumentet e kërkuara e zgjedh vetë kërkuesi.

“Kur institucioni publik lejon qasjen në dokumente publike, kërkuesi ka të drejtë të zgjedhë formën për qasje në dokumentet të tilla”, thuhet në nenin 14 të këtij Ligji. 

BIRN ka kërkuar sërish nga bordi i RTK-së që t’i ofrohen dokumentet e kërkuara në kopje fizike apo elektronike, meqë Ligji për Qasje në Dokumentet Publike ia garanton një gjë të tillë.

Bordi i RTK-së kishte hapur konkurs për pozitën e drejtorit të përgjithshëm pas shkarkimit të Ngadhnjim Kastratit nga detyra.

Nga lista finale e vlerësimit vërehet se tetë kandidatë për drejtor të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë arritur të kalojnë testin me shkrim dhe janë ftuar për fazën e fundit të konkursit – në intervistë.

Kandidatët që kanë marrë mbi 50% të pikëve të testit me shkrim dhe që janë ftuar për intervistë janë: Shkumbin Ahmetxhekaj që ka marrë 80.7% të pikëve nga testi me shkrim, Bekim Hasani që ka marrë 79.4% të pikëve, Fadil Hoxha – 73.7%, Hysen Hundozi – 70.9%, Gjergj Filipaj – 69.3%, Arben Berisha – 65.8%, Fisnik Dërguti – 52.2% dhe Adriana Kutllovci – 50%.

Kurse kandidatët të cilët nuk e kaluan testin me shkrim janë: Valentina Saraçini (46.3%), Fahredin Shehu (46.2%) dhe Orhan Hajrizi (41.2%).

Kandidatët që e kanë kaluar testin me shkrim pritet të intervistohen nga komisioni vlerësues në përbërje të: Besnik Boletini, kryetar, Arta Berisha, nënkryetare, Safet Kabashi, Fatmire Lumi – Qehaja, Driton Hetemi, Albulena Mehmeti, Bekim Sele, Shukrije Rama dhe Ivan Raduloviq, të cilët janë duke e udhëhequr procesin e rekrutimit për drejtor të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës.

Poentimi i plotë

Listën që tregon poentimin e plotë nga secili anëtar i komisionit vlerësues për secilin kandidat mund ta lexoni duke klikuar KËTU.