Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shkuan në postë të marrin kanabisin në formë çokollate që erdhi nga Belgjika, arrestohen dy të dyshuar në Durrës

Policia e Shqipërisë ka zënë në flagrancë dy të dyshuar në Durrës me susbstancë narkotike – kanabis në formë çokollate.

“U kapën në flagrancë sapo tërhoqën nga Dega Postare Durrës, pakon me kanabis në formë çokollate, të ardhur nga Belgjika, vihen në pranga dy shtetas” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Sipas policisë, pakoja me lëndë narkotike, e ardhur nga Belgjika, nëpërmjet Degës Postare Durrës është sekuestruar bashkë me një automjet “Hyundai” dhe dy celulare.

Si pjesë e operacionit policor ‘Green Mail 3”, policia arrestoi E.H 22 vjeç dhe E.H 28 vjeç.

Në njoftim potencohet se nga veprimet hetimore rezulton se shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë trafikuar nëpërmjet postës, pakon me kanabis, nga Belgjika në drejtim të Shqipërisë.

Po ashtu, sipas Policisë, është duke vazhduar puna nga Njësia per Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në të.

Materialet për rastin kanë kaluar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Në njoftimin e policicë theksohet se ky është operacioni i tretë policor i finalizuar brenda 3 muajve të fundit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës, nga shtete të ndryshme.

“Green mail” u finalizua më 30 qershor 2022 dhe rezultoi me sekuestrimin e rreth 1.3 kilogramëve kanabis, të sjella nga Mbretëria e Bashkuar dhe vënien në pranga të 2 shtetasve, ndërsa “Green mail 2”, u finalizua më 18 gusht të po këtij viti dhe si rezultat i tij u sekuestruan 2 pako me kanabis, të sjella gjithashtu nga Mbretëria e Bashkuar, si dhe u vunë në pranga 2 shtetas të tjerë.