Zv.ministri i FSK-së - Foto: Facebook

“Serbia frikësohet të bëjë luftëra, sepse është djegur keq në Kosovë”

Zëvendësministri në detyrë i Mbrojtjes, Burim Ramadani, e ka quajtur forcim të institucioneve të vendit, Strategjinë e Sigurisë së Kosovës. Ai shton se Serbia nuk ka ndryshuar, por se tash frikësohet të bëj luftë në Kosovë.

Ramadani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo strategji bën Kosovën të synojë që të kthehet shtet model në rajon në fushën e sigurisë, mbrojtjes, informacionit dhe diplomacisë.

“Me të drejtë, kemi definuar Aktivitetet e Jashtme Armiqësore (Serbinë dhe Rusinë) si kërcënimin kryesor ndaj sigurisë së Kosovës”, thotë ai.

Postimi i plotë i Ramadanit:

“Strategjia e Sigurisë së Kosovës është strategji modernizimi dhe forcimi të institucioneve, duke bërë Kosovën të synojë që të kthehet shtet model në rajon në fushën e sigurisë, mbrojtjes, informacionit dhe diplomacisë.

Pra, një Strategji modernizimi.

Me të drejtë, kemi definuar Aktivitetet e Jashtme Armiqësore (Serbinë dhe Rusinë) si kërcënimin kryesor ndaj sigurisë së Kosovës.

Pak javë pasi ne miratuam Strategjinë tonë të modernizimit, Serbia e miratoi Strategjinë e vet Millosheviqiane. Sërish, e konfirmoi se Serbia nuk ka ndryshuar fare, vetëm që tash frikësohet të bëjë luftëra, sepse është djegur keq në Kosovë.

Pra, dallimi mes nesh është konceptual, i thellë dhe dallim mes të mirës e të keqes.

Ne duam të modernizojmë veten dhe rajonin.

Ata duan ta kthejnë të kaluarën Millosheviqiane”, ka shkruar Ramadani.

Në Qeverinë e Serbisë, të enjten iu dha drita jeshile dy dokumenteve më të rëndësishëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat do të jenë bazë për miratimin e të gjitha rregulloreve dhe akteve të tjera nënligjore në dekadën e ardhshme.