Foto: REL

Serbia arreston pesë persona për trafikim me imigrantë

Autoritetet serbe kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për trafikim të mbi 140 imigrantëve.

Të arrestuarit akuzohen se i kanë ndihmuar imigrantët të kalojnë në territorin e Bosnje dhe Hercegovinës, njoftoi prokuroria serbe.

“Që nga nëntori i vitit të kaluar, një grup i të dyshuarve kontrabandonin imigrantë me autobusë, nga Beogradi për në kufirin me Bosnje-Hercegovinën”, tha prokuroria.

Sipas informacioneve nga ministria e Sigurisë e Bosnje dhe Hercegovinës, në vitin 2019, rreth 29,000 imigrantë kanë hyrë në Bosnje.

Imigrantët synojnë që nga Bosnja të kalojnë në Kroaci, vend ky anëtar i Bashkimit Evropian.

Mijëra imigrantë që ikin nga lufta dhe varfëria në vendet e tyre janë bllokuar në Ballkanin Perëndimor, ndërsa kërkojnë të hyjnë në vendet më të zhvilluara të Evropës Perëndimore.

Zyrtarët thonë se shumica e imigrantëve vijnë nga vendet e shkatërruara nga lufta në Siri, Irak, Afganistan dhe Jemeni./REL