Foto: REL/AFP

Ushtarë turq vriten në Idlib të Sirisë

Turqia tha se pesë ushtarë të saj janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur si rezultat i granatimeve nga forcat e Qeverisë siriane në provincën Idlib.

Ministria e Mbrojtjes tha se artileria turke i është përgjigjur menjëherë sulmit, duke i shkatërruar caqet e tyre.

Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut – grup që monitorn luftën në Siri – tha se katër ushtarë rebelë janë vrarë po ashtu.

Përleshjet ndodhën pasi një delegacion rus arriti në Ankara për të diskutuar rritjen e tensioneve në Idlib – bastionin e fundit që kontrollohet nga rebelët sirianë.

Ofensiva e forcave siriane në Idlib dhe në disa pjesë të Alepos fqinje, e mbështetur nga forcat ruse, ka detyruar afro 700,000 njerëz të ikin nga shtëpitë e tyre qysh në muajin dhjetor, njoftuan të hënën Kombet e Bashkuara.

Rusia dhe Turqia, e cila mbështet grupet rebele në Siri, janë pajtuar që të punojnë së bashku drejt shtensionimit të situatës në Idlib dhe krijimit të një zone të demilitarizuar, por luftimet kanë vazhduar.

Siria është në luftë civile qysh në vitin 2011.

Mbi gjysmë milioni njerëz janë vrarë, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur./REL