Senatorja amerikane Shaheen: I mirëpresim aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO

Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen ka konfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrugëtimin e Kosovës në NATO.

Në një deklaratë pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Shaheen theksoi dy vendet ndajnë vlerat e njëjta.

“Këtu jemi si pjesë e miqësisë që e kanë ShBA-të, sepse i kemi vlerat dhe përkushtimin për të ardhmen e këtij vendi, të përbashkëta. I mirëpresim aspiratat e këtij vendi për të qenë pjesë e NATO-s, gjithashtu i mbështesim edhe aspiratat tuaja për të lëvizur drejtë BE-së dhe natyrisht i ndajmë shqetësimet tuaja për rajon”, tha ajo.

Senatorja Shaheen e cila në Kosovë po qëndron edhe me senatorët Chris Murphy dhe Thom Tillis ka falënderuar Kosovën për strehimin e refugjatëve afganë.

“Këtu jemi sepse mendojmë që është e rëndësishme që në senat të tregojmë mbështetjen tonë të të dy partive për atë që po ndodhë në Kosovë. E çmojmë përkushtimin e Kosovës për të na ndihmuar për sfidën me të cilën përballeshin miqtë tonë nga Afganistani”, tha ajo.

Në anën tjetër presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha që në këtë takim i ka njoftuar senatorët amerikanë për situatën në rajon dhe qëllimet e Rusisë për destabilizim.

“Nuk është sekret që rendi i sigurisë brenda kontinentit evropian është nën kërcënim, ka pasur dhe vazhdon të ketë një interesim serioz nga Rusia që ta destabilizoj rajonin. I informova senatorët për rolin destruktiv që Serbia vazhdon ta luaj në rajonin si aleatë i Rusisë në një përpjekje për të tërhequr rajonin tonë drejtë të së kaluarës”, tha ajo.

Osmani përmendi edhe fushat në të cilat Kosova synon të bashkëpunoj me SHBA-të.

“Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, e deri tek bashkëpunimi ekonomik si dhe fola për synimin tonë dhe hapat konkret që po i ndërmarrim drejtë integrimit euroatnalntik të vendit tonë, kam besimin e plotë që do të kemi mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-ve”, tha Osmani.

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis janë duke qëndruar në Kosovë.

Ata gjatë ditës kanë vizituar Kampi Bondsteel në Ferizaj, si dhe janë takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.