Sekuestrohen para e kriptomonedha në vlerë rreth 200 mijë euro në Shqipëri, në kërkim një 48-vjeçar banues në Kosovë

Dy llogari me kriptomonedha në vlerë 135 mijë euro dhe 60 mijë e 665 euro të tjera të përfituara nga to u sekuestruan nga Policia e Shtetit.

Në kuadër të operacioni policor të koduar “Crypto” u shpall në kërkim shtetasi R.N., 48-vjeçar, i cili u tha se është banues në Kosovë.

Ai dyshohet se këmbente para duke i hedhur në portofole virtuale dhe anasjelltas, të padeklaruara pranë organeve kompetente.

Po ashtu, nga Policia e Shtetit u kap edhe R.B., 22-vjeçar, banues në Tiranë, që më pas u procedua në gjendje të lirë.

“Klientët e këtij subjekti këmbenin para duke i hedhur në portofole virtuale dhe anasjelltas, të padeklaruara pranë organeve kompente dhe që nuk gjurmohen për origjinën e tyre” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Përpos parave, në këtë rast u sekuestruan edhe 2 kompjutera, 1 laptop dhe një aparat celular.