Sekuestrohen 3 aparate për prodhimin e kryptovalutave

Qeveria e Kosovës ditë më parë kishte marrë vendim lidhur me ndalimin e prodhimit të kriptovalutave për shkak të gjendjes emergjente me furnizim me energji në të cilën ndodhet Kosova.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte  njoftuar se do të angazhohen të gjitha institucionet relevante për të identifikuar dhe ndaluar prodhimin e kryptovalutave.

Lidhur më këtë vendim sot gjatë ditës Policia e Kosovës së bashku më ekipet e KEDS-it ka ndërmarrë një aksion ku janë sekuestruar 3 aparate për prodhimin e kryptovalutave.

“Me datë 06.01.2022 rreth orës 16:00, njësitet nga Stacioni Policor i Podujevës së bashku me Njësitin e Reagimit të Shpejtë, kanë mbështetur ekipe të KEDS në Fsh. Surkish ku janë gjetur dhe sekuestruar tre aparate për prodhimin e kriptovalutave”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Po ashtu në komunikatën për media thuhet se lidhur me këtë rast është njoftuar edhe Dogana e Kosovës.

“Marrë parasysh procedurat ligjore lidhur me këtë rast janë njoftuar zyrtarët përgjegjës të Doganës së Kosovës dhe në koordinim me ta do të ndërmerren veprimet e mëtejme” thuhet në komunikatë.