Luan Morina, Foto: KALLXO.com

Pse u vendos të ndalohet prodhimi i kriptovalutave?

Më 4 janar të këtij viti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në Kosovë.

Luan Morina, drejtues i komitetit teknik për masa emergjente në Ministrinë e Ekonomisë ka treguar arsyet se pse u mor ky vendim.

“Arsyeja e parë dhe e vetme ka qenë mundësitë e kursimit të energjisë, aty ku është e mundur dhe ajo energji që është në dispozicion të trajtohet mundësisht për aktivitete ligjore”, ka thënë Morina në emisioniin “Kallxo Përnime”.

“Më 24.12.2021 është nxjerrë vendimi në Qeverinë e Kosovës për shpalljen e gjendjes emergjente në sektorin e energjisë, pra është deklaruar emergjencë në energji dhe ai vendim konform procedurës ka shkuar në Kuvendin e Kosovës dy ditë para vitit të ri dhe është miratuar në Kuvend”, deklaroi tutje ai.

Sipas Morinës, situata e krijuar në tregun e energjisë elektrike dhe analiza mbi konsumin e energjisë, ka bërë që ministrja Rizvanolli të marrë vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave.

“Në bazë të vendimit është themeluar një grup punues, Komiteti Teknik Emergjent, i cili kryesohet nga Ministria jonë dhe përbëhet nga institucionet tjera përgjegjëse. Si rezultat i këtij vendimi, ne kemi mbajtur deri më tani tri takime dhe në takimin e fundit, që e kemi pasë më 5 janar 2022, ne në mes rekomandimeve, kemi analizuar situatën, kemi marrë deklarimet institucionale dhe kemi rekomanduar masat, të cilat i dërgohen ministres”, tha ai.

Ai tha se është vërejtur një konsum i shtuar i rrymës në disa lokacione.

“Ne kemi një shpallje të emergjencës së energjisë, kemi një rritje të çmimit të energjisë në tregun regjional dhe evropian, kapacitetet tona nuk mbulojnë nevojën me energji në nivel vendi”, deklaroi Luan Morina.

“Nuk kam pas informacione paraprake, por nëse e bën një hulumtim, e sheh që një pajisje e tillë konsumi, në bazë të statistikave të fundit dhe analizës, ajo pajisje ka konsum enorm të energjisë. Ne jemi ballafaquar me rritje të kërkesave për energji në lokacione të caktuara, nga ajo që quhet konsumim normal”, tha ai në emisionin “Kallxo Përnime”.