Mitrovica e Veriut, foto nga arkivi

Prokuroria në Mitrovicë e liroi të riun që u kap nga Policia me 15 pajisje pa dokumentacion për prodhimin e Bitcoin-ëve

Një 26-vjeçar mbrëmjen e 20 prillit të këtij viti ishte ndaluar nga Policia Kufitare në komunën e Leposaviqit nën dyshimin për kontrabandim me mallra.

Ndalimi i tij ishte bërë në vendin i cili quhet Postenje afër një pike karburanti. Në veturën e tij me ngjyrë të bardhë ai kishte 15 pajisje të cilat funksionojnë për prodhimin e valutave digjitale.

KALLXO.com ka siguruar një raport të Policisë në të cilën tregohet koha e ndaljes dhe veprimet që janë ndërmarrë në lidhje me rastin. Kur ishte ndaluar nga Policia, i riu ishte pyetur në lidhje me pajisjet për prodhimin e kriptovalutave e i cili kishte pranuar se për të njëjtat nuk kishte dokumentacion.

Këto pajisje po silleshin nga Serbia për në Kosovë më saktësisht në Leshak dhe të njëjtat do të përdoreshin për prodhimin e Bitcoin-ëve. Pas këtyre deklaratave të të riut, Policia të njëjtin së bashku me veturë e kishin dërguar në stacionin policor në Leposaviq për procedurat e mëtutjeshme.

Pasi ishte njoftuar edhe hetuesi i rastit, zyrtarët policorë kishin kontaktuar edhe me prokuroren kujdestare, Jagodinka Nikoliq, e cila kishte udhëzuar policët që ta lirojnë të riun nga Serbia pasi nuk kishte  gjetur elemente të veprës penale.

Prokurorja të gjitha këto udhëzime i kishte dhënë pa dalë në vendin e ngjarjes ku ishte ndaluar 26-vjeçari me inicialet P.V., ndërsa zyrtarët policorë sipas raportit të siguruar nga KALLXO.com, kishin telefonuar edhe kryeprokurorin e Mitrovicës, Ismet Ujkani, për konsultim.

Edhe kryeprokurori Ujkani kishte rekomanduar që zyrtarët policorë të veprojnë në bazë të udhëzimeve të prokurores Nikoliq pasi që 26-vjeçari kishte deklaruar se pajisjet ishin të tijat an pse nuk ka dokumentacion për to.

Kjo deklaratë e të riut i kishte mjaftuar prokurores Nikoliq dhe kryeprokurorit Ujkani që të mos e hetojnë rastin më tutje dhe ndaj të njëjtit mos të hapin vepër penale të kontrabandimit apo edhe të shmangies së tatimit doganor.

Shuma e pajisjeve të janë gjetur në veturën e 26-vjeçarit P.V., pretendohet të jetë më shumë se 45 mijë euro me çmimin aktual të tregut për të njëjtat pajisje.

Anipse prokuroria nuk kishte marrë masa për të hetuar se si i riu kishte sjellë 15 pajisje pa dokumentacion nga Serbia në Kosovë, të njëjtit nuk kishin njoftuar as Doganën e Kosovës në mënyrë që të vërtetohet nëse P.V. të paktën kishte paguar doganën për këto pajisje.

Në një intervistë për KALLXO.com, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka mohuar që janë kontaktuar për rastin.

“Jo, për rastin që po përmendni nuk jemi njoftu si Doganë e Kosovës”, tha Stavileci deri sa shpjegonte se në statistikat e Doganës nuk figuron një rast i tillë.

Ai tutje shpjegoi se në raste të tilla do të duhej të njoftohej Dogana e Kosovës ndërsa mund të hetojnë sërish rastin në rast se Prokuroria e njofton në detaje se çka kishte ndodhur mbrëmjen e 20 prillit dhe cilat ishin veprimet që janë ndërmarrë nga ana e tyre.

Për disa ditë me radhë KALLXO.com kishte kërkuar sqarime nga ana e Prokurorisë së Mitrovicës se pse nuk ishte hetuar rasti i 26-vjeçarit me inicialet P.V., i cili dyshohej se kishte kontrabanduar pajisje për prodhimin e kriptovalutave digjitale, për në Leshak, vend ky i cili nuk paguan energji elektrike në Kosovë.

Në një përgjigje të shkurtër për KALLXO.com, zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni, në mënyrë të shkurtër ka shpjeguar veprimet e Prokurorisë.

“Lidhur me këtë rast nga policia është kontaktuar prokurorja kujdestare Jagodinka Nikoliq e po ashtu, policia ka kontaktuar edhe kryeprokurorin Ismet Ujkani, që policin e ka udhëzuar që të hetohet nëse personi që është ndaluar të verifikohet a posedon dokumentacion për pajisje që i ka pasur në veturë, ku i ka pasur më parë dhe destinacionin për t’i dërguar”, thuhet në përgjigjen e Pretenit.

Për të bërë krahasimin e asaj çka është thënë në përgjigje dhe në raport policor, zyrtarët policorë kanë njoftuar kryeprokurorin dhe prokuroren se i riu nuk kishte dokumentacione të pajisjeve që kishe në veturë.

Tutje në përgjigjen e Pretenit nga Prokuroria e Mitrovicës thuhet edhe se kryeprokurori Ujkani ka udhëzuar policin i cili ishte në vendin e ngjarjes që të kontaktohet prokurorja kujdestare dhe të vendos për rastin nëse përmbushen kushtet ligjore sipas ligjit për veprën penale kontrabandaim i mallrave apo tregti e ndaluar.

Prokurorja e rastit sipas raportit policor ka udhëzuar policinë që ta lirojë 26-vjeçarin i cili nuk posedonte dokumentacione por kishte thënë se ishin të tijat dhe se ato nga Serbia po i dërgonte në Leshak.

“Në bazë të informatave të prezantuara nga policia, se është fjala për pajisje të vjetra dhe të shfrytëzuara, prokurorja kujdestare momentalisht ka ardhur në konkludim se nuk ka elemente të veprës penale, por policia për rastin do të i dërgoj të gjitha shkresat në prokurori”, thuhet tutje në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Për dallim nga ajo që është thënë në përgjigjen e Prokurorisë, në raportin policor theksohet se pajiset e gjetura në veturën e V.P., ishin të shfrytëzueshme për prodhimin e valutave digjitale.

KALLXO.com pas pranimit të përgjigjeve nga ana e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë kishte kërkuar sqarime shtesë për pretendimet që janë dhënë në raport policor nga ana e zyrtarëve policorë që kanë ndaluar 26-vjeçarin.

Prokuroria e Mitrovicës nuk ka kthyer përgjigje për disa ditë rresht anipse janë kontaktuar edhe përmes telefonit.