Seanca solemne e Kuvendit, Konjufca: “Përkulemi para atyre që u vranë nga Serbia vetëm pse ishin shqiptar"

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne për nderë të 16 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Të pranishëm në këtë seancë përveç presidentes, deputetëve dhe kabinetit qeveritar, në sallë ishin edhe familjarë të dëshmorëve dhe ambasadorë të shteteve të huaja të akredituar në Kosovë.

Të pranishmit, në mesin e tyre janë edhe ish-president e ish-ministra e po ashtu ambasador të shteteve mike të vendit, nderuan himnin e Kosovës.

“Shteti ynë sot i mbushi 16 vite, gëzuar të gjithëve” – tha kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

Kryeparlamentari tha se 17 shkurti është dita e frymëzimit, prandaj duhet të përkulemi para atyre që dhanë jetën për liri.

“Përkulemi para atyre që u vranë nga Serbia vetëm pse ishin shqiptar. Në themelin e shtetit tonë qëndron heroizmi i Jasharajve, urtësia e Ibrahim Rugovës e ideali i Adem Demaçit” – tha Konjufca.

Tutje ai shtoi se i kemi në zemër të gjithë ata që nuk ju trembën burgjeve, ata të cilët nëpër demonstrata i dolën përball tankeve e policëve të Serbisë, minatorët e studentët, profesorët, intelektualët e akademikët, aktivistët e veprimtarët ekonomik të cilët nuk kursyen asgjë për Republikën e Kosovës.

“I kujtojmë po ashtu deputetët e 2 korrikut e 7 shtatorit, por mbi të gjitha i përkulemi popullit tonë të pamposhtur. Në këtë frymë të lirisë u edukuam vet, dhe në më këtë frymëzim do t’i rrisim fëmijët tanë” – u theksua tutje nga kryetari i Kuvendit.

Konjufca tha se Kosova duroi shumë e gjatë, deri kur bota demokratike u bind se kemi të drejtë e kur bota e pa që populli i Kosovës më parë e jep jetën për liri, sesa i nënshtrohet Serbisë.

Ai gjithashtu tha se në mendje janë gjithmonë edhe miqtë e Kosovës, pa të cilët tha se rruga e Kosovës do ishte e pamundshme.

Republika e Kosovës sot, 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Për nderë të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.

Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.

Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.

“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024.