Foto: REL

Seanca e kuvendit të Listës Serbe do të mbahet nesër

Nesër në ora 12:00 pritet të mbahet seanca e kuvendit të Listës Serbe.

Përmes Facebook-ut, Lista Serbe ka njoftuar se mbledhja do të mbahet në selinë e partisë në rrugën “Kral Petri I” në Mitrovicë.

“Ekipet mediatike do të lejohen të regjistrojnë mbulimin që nga fillimi i seancës dhe më pas do t’u jepet një deklaratë me vendimet e marra” – thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Më 13 tetor Lista Serbe ka deklaruar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e paralajmëruara në 4 komunat në veri të Kosovës.

Një ditë pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u dërgoi një kërkesë serbëve – të shkojnë sa më shpejt në zgjedhje, gjegjësisht të “dalin” me iniciativa për organizimin sa më të shpejtë të procesit zgjedhor, Lista Serbe dëgjoi këtë “apel”.

“Prandaj kërkojmë nga Prishtina që sa më parë të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme lokale për kryetarë dhe këshilltarë në të katër komunat në veri të Kosovës dhe Metohisë” – kanë thënë nga kjo parti.

Lista Serbe ka kërkuar dorëheqjen e kryetarëve aktualë në komunat Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë e Veriut.

“Duhet që këta kryetarë dhe këshilltarë të rrejshëm, të paligjshëm dhe jolegjitimë që me muaj të tërë po ngacmojnë qytetarët tanë, të japin menjëherë dorëheqjen dhe të largohen, të largohen nga ndërtesat tona, sepse nuk janë përfaqësues të popullit tonë” – kanë thënë tutje nga kjo parti.

Zgjedhjet në 4 komunat veriore janë mbajtur më 23 prill, por këto zgjedhje u bojkotuan nga Lista Serbe.