Schulz: Vuçiq po kërkon anëtarësim në BE e po merr vendime kundër BE-së

Martin Schulz, ish president i Parlamentit Evropian ka kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për lojën e dyfishtë me Rusinë dhe Bashkimin Evropian.

Schulz në fjalimin e tij në samitin e Ballkanit Perëndimor ‘’The Western Balkans Summit 2022”, ka thënë se nuk mund të kërkosh anëtarësim në Bashkim Evropian e të merresh vendime kundër tij.

“Nëse Rusia do të ishte demokraci ajo kurrë nuk do të guxonte agresionin në Ukrainë, sepse në demokraci duhet t`i arsyetohesh opozitës përse po e merr atë veprim dhe së dyti nuk mund t`i kërkosh anëtarësim në BE dhe të marrësh vendime kundër BE-së siç është rasti me Vuçiq i cili është mes afrimit me Moskën dhe me BE- në, duke luajtur me njërin kundër tjetrit, kjo nuk është kredibilitet ndaj BE-së”- tha ai.

Në Prishtinë sot po mbahet samiti i Ballkanit Perëndimor ‘’The Western Balkans Summit 2022’’, organizim i The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Ndërtimi i urave për paqe, prosperitet dhe solidaritet është tema e këtij samiti.