Gërvalla: Serbia dhe Rusia po i përdorin targat si kërcënim ndaj paqes

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla foli për çështjen e targave, duke thënë se po përdoret nga Serbia dhe Rusia për të rritur kërcënimin ndaj paqes në Kosovë.

“Është e vështirë të flasësh për stabilitet pa përmendur sfidat e ditëve të fundit. Më 31 tetor kemi një çështje të zbatimit të ligjit (çështjen e tabelave) e cila është shumë e rëndësishme për Kosovën por që shihet nga Serbia dhe Rusia si mundësi për të përforcuar kërcënimin ndaj paqes në vendin tonë” – tha ajo.

“Dhe e dyta është problem strukturor, që është kërcënim për, jo vetëm për paqen e vendit tonë. Kur flasim për zbatimin e ligjit kemi një çështje që duhet ta përfundojmë, atë të tabelave” – shtoi ajo.

Gërvalla në samitin e Ballkanit Perëndimor ‘’The Western Balkans Summit 2022”, tha që Serbia e ka bërë çështjen e targave për të cilën tha që është problem teknik, në problemin kryesor të ditëve të fundit.

“Një problem teknik, i cili vjen nga fqinjë ynë, i cili e merr një problem teknik, duke e bërë problemin më kryesor, kështu që Britania e Madhe partnerët e BE-së dhe SHBA-të po flasin me ne për muaj të tërë, kjo tregon që nëse nuk i zgjedh problemet e mëdha, ti do shpenzosh kohë në probleme teknike” – tha ajo.

Qeveria ka vendosur që pronarët e automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Afati për regjistrim është hapur nga data 1 tetor dhe do të jetë i hapur deri në fund të muajit, ani pse deri më tani janë regjistruar më pak se 20 automjete.

Ndërsa i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti shtyrjen për 10 muaj të vendimit.

Qeveria ka thënë se nuk do të ketë shtyrje të afatit, vendim ky i cili është mbështetur edhe nga presidentja Osmani.

Më Prishtinë sot po mbahet samitit i Ballkanit Perëndimor ‘’The Western Balkans Summit 2022’’, organizim i The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Ndërtimi i urave për paqe, prosperitet dhe solidaritet është tema e këtij samiti.