Scholz: Përshkallëzimet e fundit në veri tregojnë që Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka deklaruar se përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës vërteton faktin se sa e rëndësishme është që Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Euripian.

Shcolz në fjalimin e tij gjatë samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, tha se krizat në Ballkanin Perëndimor kanë theksuar nevojën urgjente për të punuar më fortë për tejkaluar antagonizmat.

“Edhe krizat e shumëfishta këtu në rajon në Ballkanin Perëndimor kanë theksuar nevojën urgjente për të punuar më fortë së bashku edhe për tejkaluar antagonizmat. Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet të cilat kanë vijuar për shumë më gjatë dhe që në fakt ju kanë mbajtur dhe vetëm ju mbajnë juve në vend”- tha Scholz.

“Këto përshkallëzime të fundit në veri të Kosovës kanë vërtetuar se sa e rëndësishme është kjo. Ne duhet të përfundojmë në fund zbatimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur me anën e dialogut të normalizimit të marrëdhënieve të udhëhequr nga BE-ja dhe jam shumë i kënaqur që për herë të parë ky samit organizohet në një vend të Ballkanit Perëndimor” – shtoi ai.

Më tej, kancelari gjerman tha se duhet të punohet edhe tutje me atë se çka është punuar deri më tash dhe të diskutojnë sot idetë që kanë për bashkëpunimin rajonal, që siç theksoi ai, të kthehet në histori suksesi.

“Ne duhet të punojmë më tej për këtë që kemi bërë deri më tash dhe të theksojmë në fakt edhe më tej dhe të plotësojmë marrëveshjet e planifikuara dhe të diskutojmë idetë që kemi sot për bashkëpunimin rajonal për ta kthyer atë në histori suksesi dhe çfarëdo lloj ecurie që do të kemi për tregun e përbashkët rajonal do te ju sjellë gjithnjë e më shumë tek standardet e BE-së dhe mund të mbështeteni tek ne, tek Gjermania, tek qeveria jonë. Ky është procesi i Berlinit le të vijojmë duke bërë gjithçka realitet”- deklaroi kancelari.

Sot në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, ku do të bashkohen udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.