SBAShK paralajmëron përsëri mundësinë për greva

Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka mbajtur një mbledhje urgjente në lidhje me lajmin se mund të aprovohet buxheti për vitin 2020 pa koston e Ligjit për paga.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se ka kërkuar takim me kryeministrin Albin Kurti për të marrë sqarime në lidhje me këtë çështje, pasi, sipas tij, nëse del lajmi i vërtetë do të hynë përsëri në grevë.

“Ne i kemi dërguar një shkresë që të na takojë dhe të debatojmë për këtë çështje dhe besoj se do ta ketë në takim edhe ministrin e Financave, Besnik Bislimi dhe të na heqin këtë stres”, tha Jasharaj.

“Nëse vërtetë ndodhë kjo që të harrohet me apo pa qëllim pjesa e Ligjit për paga atëherë do të jemi në situatë do t’i përgjigjemi zërit të anëtarësisë, besoj se Qeveria Kurti nuk e ka harruar janarin e vitit të kaluar, kur sektori i arsimit kishte shkuar në grevë trejavore dhe nuk u zëvendësuan orët”, shtoi ai.

Jasharaj shtoi se nëse Ligji për paga nuk është i përfshirë në buxhetin për vitin 2020 do të ndërmarrin veprime sindikale.

“Dhe përsëri nëse mbajmë grevë, nuk do të ketë zëvendësim të orëve, po lutem që lajmi të jetë i thënë veç ashtu. Nëse nuk është ashtu atëherë ne do të duhet të përgatitemi për veprime sindikale për të cilët do të vendosni ju”, tha më tej Jasharaj.

SBAShK-u kishte mbajtur greva pasi që Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar përkohësisht Ligjin për Paga sipas kërkesës nga Avokati i Popullit. Ligji do të jetë i pezulluar deri më 30 mars të këtij viti.

SBAShK-u para se të miratohej ky Ligj kishte mbajtur grevë trijavëshe derisa u plotësuan kërkesat e tyre. Orët e humbura të kësaj greve nuk u zëvendësuan plotësisht pavarësisht se MAShT-i kishte marrë vendim që ato të kompensohen.