Foto: Atdhe Mulla

Mësimdhënësit nesër u rikthehen grevave

Dita e premte do ta gjejë sistemin arsimor para universitar në grevë dy orëshe, si shenjë pakënaqësie për Ligjin për Paga që është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj.

Ai tha se këtë vendim e kanë marrë së bashku me sindikatën e Shëndetësisë.

“Në koordinim me sindikatën e Shëndetësisë jemi marrë vesh që veprimet të shkojnë në të njëjtën kohë, pasi që edhe ata kanë vendosur një gjë të tillë. Pra nesër e premte sistemi arsimor do ta gjejë një grevë dy orëshe paralajmëruese, në të cilën do të jenë pjesëmarrës çerdhet, shkollat fillore dhe të mesme, si shenjë pakënaqësie ndaj Ligjit për Paga që është dërguar në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Jasharaj për KALLXO.com

Edhe Sindikata e Shëndetësisë e ka konfirmuar se nesër do të jenë në grevë mantelbardhët.

Kjo grevë erdhi pasi që Insititucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Paga në Sektorin Publik.

Avokati i Popullit ka konsideruar se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij.

Dërgimin e këtij ligji në Kushtetuese e kishte paralajmëruar këshilltari i lartë në Institucionin e Avokatit të Popullit, Burim Tahiri, në emisionin ‘Jeta në Kosovë”.

Ligji i ri i pagave është miratuar këtë vit në Kuvendin e Kosovës, dhe ka hyrë në fuqi që nga 1 dhjetori.

SBAShK-u para se të miratohej ky Ligj kishte mbajtur grevë tri javëshe derisa u plotësuan kërkesat e tyre, po se orët e humbura të kësaj greve kurrë nuk u zëvendësuan pavarësisht se MAShT-i kishte marrë vendim që ato të kompensohen.