Sadullah Dermaku inspektor nga Kamenica, është dënuar për marrje të ryshfetit

Sadullah Dermaku, inspektor nga Kamenica është dënuar sot në gjykatën e Gjilanit pasi u gjet fajtor për marrje të ryshfetit.

Ai nga Gjykata për herë të katërt u dënua me 15 muaj burg, 300 euro gjobë dhe ndalim të ushtrimit të funksionit për dy vite pas mbajtjes se dënimit me burgim.

Kjo çështje është kthyer tri herë në rigjykim nga Gjykata e Apelit dhe për herë të katërt përfundoi me dënimin e inspektorit Sadullah Dermaku.

Kujtojmë se këtë rast ka qenë duke e gjykuar gjykatësi Zyhdi Haziri, kurse pas kalimit të tij në Gjykatën e Apelit tani lënda gjykohet nga gjykatësi Ramiz Azizi.

Prokurori Agron Uka, në fjalën përfundimtare kishte thënë se pas mbajtjes së shumë seancave gjyqësore dhe pas një procesi të gjatë gjyqësor ishte vërtetuar se i akuzuari e kishte kryer veprën penale me dashje direkte. Andaj në këto rrethana kërkonte nga Gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet me një dënim të paraparë me ligj. Fjalët e prokurorit i pati përkrahur edhe i dëmtuari Besnik Shabani.

Kurse Shemsedin Pira, avokati i të akuzuarit dhe vet i akuzuari Sadullah Dërmaku, duke dhënë fjalët e tyre përfundimtare, e patën kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë duke kërkuar nga Gjykata që i akuzuari të lirohet nga akuza dhe i njëjti të shpallet i pa fajshëm.

Kujtojmë se Gjykata e Gjilanit në prill të vitit 2018 të akuzuarin Dërmaku e kishte shpallur fajtor për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 muajve dhe dënim me gjobë në shumën prej 300 eurove.

Po ashtu, ndaj Sadullah Dërmakut Gjykata e shkallës së parë kishte shqiptuar edhe dënim plotësues (me kusht), ndalimi i ushtrimit të profesionit në administratë publike në kohëzgjatje prej dy vitesh.

Pas kësaj dhe pas rigjykimit, Gjykata e Gjilanit në janar 2019 përsëri ashtu si në gjykimin e parë, të akuzuarin Sadullah Dërmaku e kishte dënuar me 15 muaj burgim dhe 300 euro gjobë.

Përsëri Gjykata e Apelit në muajin prill 2019 e kishte kthyer çështjen në rigjykim duke konstatuar shkelje esenciale të dispozitave procedurale nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Edhe në gjykimin e tretë të shpallur më 26 qershor 2020, Dërmaku ishte dënuar me 15 muaj burg, 300 euro gjobë dhe ndalim të ushtrimit të funksionit për dy vite pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Sipas Prokurorisë, Sadullah Dërmaku në muajin tetor 2017 në Kamenicë në cilësinë e inspektorit të komunikacionit në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar si person zyrtar.

Aktakuza e Prokurorisë gjithashtu thotë se në mënyrë që të dëmtuarit Besnik Shabani t’i mundësojë ushtrimin e veprimtarisë së biznesit “City Taxi”, i akuzuari i ka kërkuar 500 euro (të dëmtuarit), para të cilat i ka marrë nga i dëmtuari dhe të njëjtat ishin gjetur në xhepin e palltos së tij ku pas bastisjes nga ana e zyrtarëve policor i akuzuari edhe ishte arrestuar.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast: https://kallxo.com/ligji/merr-fund-edhe-rigjykimi-i-katert-i-inspektorit-nga-kamenica/.